Daçiq e ‘harron’ propagandën, thotë se Serbia refuzon të vendosë masa reciproke ndaj Kosovës

Rajoni ka nevojë për një rol më të fuqishëm dhe përfshirje më të madhe të BE-së, përndryshe Evropa nuk do të jetë ai lloj i ëndrrës, lirisë dhe demokracisë, çfarë kemi kërkuar, tha ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq.

Ai këto komente i bëri në Sarajevë, ku do të mbahet samiti i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Daçiq tha se Serbia është e gatshme që të vazhdojë të punojë me të gjithë aktorët për të përmirësuar klimën politike dhe dialogun, pajtimin, tolerancën dhe hapjen ndaj bashkëpunimit, e cila është një parakusht kyç për stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin e Evropës Juglindore dhe qytetarëve të saj.

“Pa një integrimin e Ballkanit Perëndimor, as hapësira evropiane nuk është e plotë”, ka thënë Daçiq.

Megjithatë, ai përkujton se Serbia, krahasuar me të tjerët, ka një kapitull tjetër, që është normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën.

Serbia, sipas tij, është e përkushtuar për dialog me Prishtinën, por vullneti për këtë duhet të jetë i përbashkët, dhe marrëveshjet e pranuara tashmë duhet të respektohen pa rezerva.

“Jemi dëshmitarë se njëra palë refuzon vazhdimisht të përmbushë detyrimet e saj, mbi të gjitha dispozitat e Marrëveshjes së Brukselit dhe shkel ashpër marrëveshjen rajonale të CEFTA-s për më shumë se shtatë muaj dhe pavarësisht kësaj, Serbia refuzon të vendosë masa reciproke”, tha Daçiq.

SHPËRNDAJE