Daçiq i reagon BE-së: Nëse nuk do të diskutojmë për shkëmbim territoresh, çka do të diskutojmë atëherë?

Ministri i jashtëm i Serbisë, Iviça Daçiq ka thënë sot se nuk i takon BE-së të caktojë paraprakisht përmbajtën e dialogut me Prishtinën.

Daçiq theksoi se fakti që diplomati Mirosloav Lajçak është emëruar si përfaqësues special për dialogun mes Kosovës e Serbisë i ka anët e saj pozitive por edhe negative.

Ndër të tjera, ai ka potencuar se është pozitive që Lajçak vjen nga një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Kohëve të fundit, ai ka bërë deklarata se zgjidhja përfundimtare duhet të jetë në përputhje me vlerat evropiane dhe se nuk do të ketë shkëmbim territoresh. Miqësisht i them atij se kjo nuk është kompetencë e tij. Nuk u takon atyre që të përcaktojnë se cili do të jetë rezultati i dialogut”, deklaroi Daçiq për TV Pink, transmeton Reporteri.

Daçiq po ashtu ka thënë se nëse nuk diskutohet për shkëmbimin e territoreve, çka atëherë do të diskutohet derisa ka pyetur diplomatik sllovak se çfarë zgjidhje do të propozojë ai.

“Nëse ata thonë se nuk ka ndryshim kufijsh, atëherë nuk ka as ndryshim të kufijve të Serbisë. Meqenëse ne nuk e pranojmë atë, dhe Prishtina nuk e pranon këtë të fundit, atëherë le të shohim se çka është kompromisi”, tha Daçiq.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme u raportua se Serbia është dakorduar për ndaljen e fushatës së çnjohjeve, çka u demantua nga vetë Daçiq, i cili këtë e quajti “rrenë të madhe”.

SHPËRNDAJE