Dalin fotografi të reja të blindave të ardhura nga ShBA-të

Kur kanë ngelur më pak se një javë nga data e përcaktuar për votimin e projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), SHBA-ja i ka dhuruar shtetit tonë, 24 automjete ushtarake “Humvee” .

Mjetet ushtarake amerikane kanë arritur sot në Kosovë, ndërkaq pritet të jenë në dispozicion të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Për formimin e ushtrisë, Kosova mori mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura është hap pozitiv dhe është mese e natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

Kosnett rithekson se Kosova vazhdon të mbetet lartë në prioritetet e politikës së jashtme amerikane.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka deklaruar pasi të formohet Ushtria e Kosovës, vendi do të aplikonte për anëtarësim në NATO, edhe pse kjo e fundit u shpreh qartazi kundër kësaj nisme vetëm pak ditë më parë.

“Pas votimit të ligjeve më 14 dhjetor do të bëjmë atë që bën çdo vend tjetër që ka një ushtri, anëtarësohet në NATO, siç bëri Shqipëria”, ka theksuar Haradinaj.

Ndërkaq, seanca për themelimin e Ushtrisë së Kosovës është paraparë të mbahet më 14 dhjetor.

Duhet theksuar se në korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar kontratë për blerjen e 51 automjeteve të blinduara ‘Humvee’.

SHPËRNDAJE