Dallaveret e komunave me ndarjen e banesave sociale

Dallavere të shumta e kanë shoqëruar çdo fazë të akomodimit të banorëve në banesa komunale. Programi i komunave i quajtur “Programi i Veçantë për Banim” është kthyer në një program abuzimi nga shumë komuna të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe pse komunat deklarativisht thonë se përmes këtij programi i ndihmojnë njerëzit që jetojnë në kushte të rënda financiare, pa kulm mbi kokë e me të ardhura të pamjaftueshme për të paguar çfarëdo qiraje, sipas të dhënave të audituara nga Zyra Kombëtare e Auditimit më së paku përfiton kjo kategori.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA) i publikuar të enjten, i titulluar “Efektiviteti i Programeve të Veçanta për Banim” ka shpërfaqur keqpërdorime e shkelje të shumta në pesë komuna të Kosovës. ZKA-ja në këtë raport ka analizuar efektivitetin e ndarjes së këtyre banesave në komunën e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt, Obiliqit dhe Gjakovës.