Data e shpalljes së Ushtrisë së Kosovës, flet komandanti i ‘Bonstil-it’

Republika e Kosovës shumë shpejt pritet të bëhet me Ushtri.

Ka deklarata të shumta nga Serbia që Kosova do ta shpallë ushtrinë e vet me datën 28 nëntor, e fundit ishte nga ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq.

Siç është shprehur ai, Kosova po punon që kjo të jetë data e shpalljes së ushtrisë, edhe pse sipas tij kjo është në kundërshtim me të marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me garancitë e NATO-s.

Mirëpo, mbi datën e shpalljes së ushtrisë nga Kosova ka folur edhe komandanti në largim nga baza ushtarake amerikane ‘Bondstil’ në Kosovë, Nik Ducich. Ai ka thënë se nuk beson se Kosova do të shpallë formimin e Ushtrisë së Kosovës më 28 nëntor, Ditën e Flamurit shqiptar.

“Unë besoj se nëse shpallet tranzicioni në Ushtrinë e Kosovës, ata do ta bëjnë atë një ditë më pak të dyshimtë se Dita e Flamurit. Besoj se ata gjithashtu do të koordinohen me Kforom, kështu që do e bëjnë këtë në mënyrë më të përshtatshme,” tha Ducich në një intervistë për Tanjug, e fundit para dorëzimit të detyrës te komandanti i ri, Roo Makareg.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse KFOR-i ka aftësinë për ta ndaluar dhunën kundër serbëve që mund të vijë si rezultat i shpalljes të Ushtrisë së Kosovës, Ducich tha se “nuk pret ndonjë vështirësi, konflikt apo dhunë në rast të shpalljes”.

“Detyra e KFOR-it dhe e policisë së Kosovës me siguri do të jenë të pozicionuara mirë, të planifikuara dhe të koordinuara”, tha Ducich.

SHPËRNDAJE