Demaliaj: Në abuzimin e dy milionëve, është dashur të nënshkruajnë 5 deri 10 persona

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj ka komentuar skandalin me Thesarin e Shtetit.

Demaliaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se Lajçak duhet të jetë më i kujdesshëm në raport me Kosovën pasi shteti i tij Sllovakia nuk e ka njohur Kosovën.

“Prekja e Kushtetutës së Kosovës është prekje e aktit më të lartë të një shteti. Dihet kush mund ta ndryshojë Kushtetutën”, tha ai.

Deputeti i AAK-së thotë se fitore e Kosovës ka qenë Marrëveshje e Asociacionit pasi sipas tij vet aty thuhet se pa miratimin e Kushtetutës së Kosovës asgjë nuk mund të ndryshohet.

“Deri sot nga zoti Hoti asnjë hap nuk ka ndodhur në drejtim të implementimit të Asociacionit”.

Demaliaj ka folur edhe për skandalin që është prezantuar sot me Thesarin e Shtetit ku janë abuzuar dy milionë euro.

Ai ka thënë se nëse ndonjë anëtarë i AAK-së ballafaqohet me ligjin, ai në mënyrë automatike suspendohet derisa të sqarohet me drejtësinë.

Demaliaj thotë se në bazë të informacioneve që ka se si funksionojnë këto institucione për këtë skandal duhet të përgjigjen më shumë se pesë persona që kanë nënshkruar.

“për të përfunduar ai proces i transaksionit duhet të jenë pesë deri në dhjetë nënshkrime. Madje pos Departamentit të Thesarit ky proces duhet të kalojë edhe nëpërmes filtrit të Bankës Qendrore…Nuk është një mekanizëm aq i thjeshtë sa po debatohet se i cilës parti ishte personi që bëri transaksionin”, tha ndër të tjera Shkumbin Demaliaj.