Demarkacioni thyen koalicionin PDK- AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës po del se nuk janë në një vijë sa i përket projektligjit për Demarkacionin.

Raporti i Komisionit të Shpejtim Bulliqit ka ndarë këto dy parti të cilat po qeverisin vendin.

Përderisa partia e Ramush Haradinajt këmbgulë se pjesë e projektligjit për Demarkacionin të futet edhe raporti i Shpejtim Bulliqit, në anën tjetër partia e Kadri Veselit po e mbështet kërkesën e LDK-së që raporti i Bulliqit të mos përfshihet fare në projektligjin e Demarkacionit. (Kliko mbi linkun e mëposhtëm dhe shiko pamjen e plotë ⤵)

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë për ORAinfo se kjo parti nuk do të votojë demarkacionin nëse nuk do të përfshihet edhe raporti i Shpejtim Bulliqit.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e voton Demarkacionin vetëm në tërësi ashtu siç është. Ne kemi kërkuar të votohet ligji vetëm ashtu siç është sponsorizuar nga Qeveria. Nuk votojmë version tjetër të Demarkacionit sepse që tri vite në vazhdimësi kemi mohuar një komision i cili është vërtetuar se ka gabuar në përkufizimin e vijës kufitare. Prandaj e votojmë vetëm me ligjin i cili përmison gabimet të cilat janë bërë”, ka thënë Isufi.

Në anën tjetër në PDK nuk kanë dashur të flasin në lidhje me insistimin e AAK-së për përfshirjen e raportit të Bulliqit në projektligjin për Demarkacionin.

Mirëpo, burime të ORAinfo bëjnë të ditur se PDK është pro qëndrimit të LDK-së që në projektligjin për Demarkacionin me Malin e Zi të hiqet raporti i Komisionit të Shpejtim Bulliqit.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ky mospajtim ka shtyrë kreun e Kuvendit Kadri Veseli që seancës të shtyjë për nesër në ora 10./Alma Baxhaku/ ORAinfo/

SHPËRNDAJE