Dëmtohet sërish ambulanca në Kodrën e Minatorëve

Sërish është atakuar objekti i ambulancës në lagjen veriore “Kodra e Minatorëve”, në të cilën kryesisht ofrohen shërbime shëndetësore për banorët shqiptarë që ende jetojnë në veri, por që aty shërbime mjekësore kërkojnë edhe qytetarë të komuniteteve tjera.

Ndonëse askush nuk i ka parë keqbërësit dhe nuk dihet se kush janë ata, dyshohet se kjo është edhe një tjetër vepër e ekstremistëve serbë që me presione të këtilla dhe të tjera, po mundohen që këtë lagje ta spastrojnë tërësisht nga shqiptarët.

Keqbërësit kishin thyer nga jashtë me jete të forta njërin nga xhamat e dritares dhe më pastaj i kishin dhënë flakën, e cila fatmirësisht ishte shuar vetvetiu, pa shkaktuar dëme më të mëdha. Përveç xhamit të thyer, nga zjarri ishin dëmtuar edhe kabllot e internetit dhe një shtrat ku ofrohet ndihma për pacientët.

Ndonëse ambulanca shëndetësore në “Kodrën e Minatorëve” i takon Komunës së Mitrovicës Veriore, në vendin e ngjarjes ka dalë nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, i cili i ka gjetur punëtorët e ambulancës duke e pastruar objektin përbrenda.

Ata i thanë kryetarit Mujka se të premten kur kanë dalë nga objekti pasi që kishin përfunduar orarin e punës, çdo gjë ka qenë në rregull. Mirëpo, të dielën, rastësisht një punëtore që banon në këtë lagje, kishte vërejtur se xhami i dritares ishte thyer nga jashtë dhe se vëreheshin gjurmët e zjarrit. Për këtë ishte njoftuar p[policia e Kosovës, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes.

Nënkryetari Mujka ju tha punëtorëve që të mos dekurajohen, por të vazhdojnë të punojnë dhe të ofrojnë shërbime shëndetësore për shqiptarët që jetojnë në lagje, por edhe për të gjithë qytetarët tjerë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, që kërkojnë ndihmë. Ai tha se bashkë më kryetarin e Komunës, Agim Bahtiri do të bëjnë përpjekje për të sanuar dëmin dhe për të krijuar kushte më të mira për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për ata që kanë nevojë.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, e dënoj ashpër këtë veprim të shëmtuar të keqbërësve, pa marrë parasysh kush janë ata dhe kërkoi nga policia e Kosovës dhe hetuesia që të ndërmarrin të gjitha masat për kapjen e tyre. /Veriu.info/

/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE