Dënimi që gjykata zvicerane ia dha kosovarit, për ‘tentimvrasje’ të skifterit

Një “pëllumbaxhi” kosovar në Zvicër ka helmuar një pëllumb me shpresë se shpezët grabitçarë (skifterët) do të ngordhin pasi ta hanë atë. Për këtë delikt ai qe dënuar nga Gjykata e Qarkut e Bulach-ut (Kantoni i Cyrihut), shkruan srf.ch.

Por ai kishte ushtruar të drejtën e ankesës në një shkallë më të lartë, kështu që lëndën e tij e ka trajtuar të hënën Gjykata e Lartë e Kantonit të Cyrihut, transmeton albinfo.ch. Në këtë mënyrë, kjo është shkalla më e lartë gjyqësore në të cilën është proceduar një rast i tillë, i helmimit të shpezëve.

Shpezët grabitçarë, si skifteri etj. në Zvicër janë nën mbrojtje të ligjit, në nivel federal. Gjykata e Qarkut kishte konstatuar se kosovari 37 vjeçar e kishte lëshuar të fluturonte pëllumbin e tij pasi që e kishte lyer me helm.(Kliko mbi reklamë dhe shiko pamjen e plotë ⬇⬇⬇)

Por pëllumbi ishte kapur para se të arrinte të bënte dëm. Kështu, mbajtësi i tij qe dënuar me një dënim me kusht me para prej 9000 frangash (300 njësi ditore nga 30 franga) si dhe një gjobë efektive prej 1500 frangash. Avokati kishte kërkuar lirim nga akuza dhe e kishte bartur lëndën në Gjykatën e Lartë.

Kjo e fundit i ka shqiptuar dje kosovarit një dënim dukshëm më të ashpër. Përveç një dënimi me 15 muaj burg me kusht, ai duhet të paguajë edhe një gjobë prej 1500 frangash. Gjyqtari i lëndës nuk kishte dilema se pllumbaxhiu kishte dashur të mbyste një skifter “në mënyrë të pabesë” dhe “të ulët” dhe për këtë arsye dënimi i shqiptuar ishte meritor.

Është interesante se prokuroria kishte kërkuar dënim dukshëm më të ulët se sa dënimi që ka shpallur gjykata.

Fenomeni i vrasjes së këtillë të skifterëve dhe zogjëve tjerë grabiçarë ishte dokumentuar në vitin 2011 edhe në mënyrë filmike. Një kamerë e vendosur në një oxhak kishte filmuar vdekjen e një skifteri të helmuar ndërsa po i ushqente zogjtë e tij me pëllumbin e helmuar që e kishte kapur pak më parë.

SHPËRNDAJE