Dënohet personi që e shfrytëzoi për prostitucion një të mitur

Gjykata Themelore në Gjilan ka shqiptuar Aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit N. M. në kohëzgjatje prej 3 (tre) vite e një (1) muaj burgim dhe 500 (pesëqind) euro gjobë.

I akuzuari gjatë muajit maj 2018 në kohë të pacaktuar në Restorantin “Hareja” në Kamenicë, në mënyrë të vazhdueshme ka organizuar, rekrutuar dhe ndihmuar për qëllime të prostitucionit të dëmtuarën F. M. në atë mënyrë që e njëjta të ofrojë shërbime seksuale me pagesë klientëve, në këmbim të hollave, gjithashtu i akuzuari në fjalë ka qenë në dijeni që e dëmtuara është e moshës nën 16 vjeç.

Me këto veprime i akuzuari ngarkohet për dy vepra penale; mundësimi ose detyrimi në prostitucion nga neni 241 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovë (KPRK) dhe veprën penale keqpërdorimi seksual i personave nën 16 vjeç nga neni 235 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 e lidhur me nenin 230 paragrafi 4 nënparagrafi 4.7 e lidhur me 1 të KPRK-së.

Pas shqyrtimit të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve, gjykata për këto dy vepra penale ka shqiptuar një dënim unik për të akuzuarin prej 3 vite e 1 muaj burgim dhe dënim me gjobë në shumën prej 500 Euro.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

SHPËRNDAJE