Denoncim publik i ndyrësirave të UP-së që kushtëzojnë seksualisht studentet

Kosova ka shumë probleme. Vetëm në dhjetëditëshin e fundit u diskutuan e trajtuan institucionalisht pak prej tyre, por shumë sa për të shkruar diçka këtu. Demarkacioni, mishi i prishur, Gjuriqi, taksa e autostradës dhe pak më në skaj një temë tjetër, e cila injorohet nga shumica e debatuesve të flaktë të rrjeteve sociale; çështja e ngacmimeve dhe kushtëzimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës.

Shkruan: Shpend GUDAQI

Ngacmimet seksuale mund të jenë të parëndësishme për të apasionuarit e filmave me Gjuriqin, mirëpo ata që filmat i kanë në plan të dytë dhe merren me shkencë na tregojnë se secili ngacmim seksual mund ta shkatërrojë një jetë, në rastin tonë të një jete vajze ose gruaje. Sipas studimeve shkencore, që mund t’i gjesh lehtë me një kërkim Google, efektet më të shpeshta që i përjeton një viktimë e ngacmimit seksual janë depresioni, paraqitja e stresit post-traumatik, çrregullimi i tensionit të gjakut, çrregullimi i gjumit, paraqitja e tendencave vetëvrasëse, si dhe shumë komplikime tjera varësisht nga rasti.

Duhet ta kuptojmë se ngacmimet seksuale janë manifestime të marrëdhënieve pushtetore, prandaj gratë janë më të predispozuara që të jenë viktima, sepse janë më të pafuqishme. Ato duhet mbrojtur nga njerëzit që kanë vetëdije. Pozicioni i tyre social, sidomos në Kosovë, është i tmerrshëm. Shumica e tyre ndjenjë pasiguri, kanë mungesë vetëbesimi dhe janë socializuar me vuajtjen në qetësi. Ato nuk flasin, prandaj edhe kemi denoncime aq të pakta përkundër se problemi është kaq i madh. Kështu ngacmuesit inkurajohen dhe fenomeni normalizohet.

Megjithatë, para se të flasim për fenomenin e ngacmimeve seksuale në UP, besoj se duhet të flasim për fenomenin e ngacmimeve seksuale kudo në shoqërinë tonë. Dhe ndryshe nga shoqëritë perëndimore, ku viktima mund të jenë edhe meshkujt, në shoqërinë tonë lirisht mund të themi se viktimave të këtij terrori pothuajse gjithmonë janë vajzat dhe gratë. Ato dalin në rrugë dhe ngacmohen seksualisht. Shtrëngohen fort që të përballen me një armatë burrash e djemsh të frustruar seksualisht që ngacmojnë vajza e gra kudo në rrugë. Me taksistët. Me kamarierët. Me nënpunësit administrativë në banka, sportele pagesash. Me kondukterët. Me pensionistët që enden shesheve. Me të gjithë dhe s’po e them vetëm që të bëj sa më shumë prej tyre, por se jam dëshmitar që ngacmuesit seksual janë gjithandej, madje edhe në mesin e disa njerëzve që njoh vet. Por këtu nuk mbaron tragjedia. Një grua mund të përballojë një ditë të tillë.

Tragjedia mbaron me konkretizimin e aktit seksual nga një ngacmues që është i veshur me pushtet. Pra një burrë që e kushtëzon një grua me favore seksuale. Për shembull, siç bëjnë disa profesorë në UP, të cilët i kushtëzojnë studentet me favore seksuale për t’i kaluar në provim, ose për t’i bërë asistente, ose thjesht për t’u dhënë atyre një status social në mesin e studentëve tjerë, duke kaluar kohë me to. Por kjo praktikë e favoreve seksuale nuk është vetëm karakteristikë e UP-së. E shohim edhe në institucionet më të larta. Thënë thjesht, shpesh në vendin tonë që një grua të ngjitet majave të karrierës duhet të ofroj seks për t’i kaluar disa pengesa që mund t’i paraqiten gjatë rrugës. Këtë ia zë për të madhe disa prej feministëve të rrjeteve sociale, të cilët këto viktima të shfrytëzimit seksual na i paraqesin si storie suksesi, si gra shembull, kur në të vërtetë ato janë vetëm viktima të agresionit seksual mashkullor.

Nejse. UP-ja. Sa herë mendoj për institucionin më të lartë të arsimit në Kosovë, ndjej një farë jokomoditeti. Zymtësia e këtij institucioni nuk mund të matet me përllogaritje matematikore. Ky institucion nuk prodhon vetëm analfabetë. Aty njeriu s’mëson gjë, kjo gjë është e ditur. UP-ja po atrofizon mentalisht studentët e vet. Po fabrikon kretenë, po rrënon vlerat etike dhe morale të tyre, po mbytë potencialet e tyre përpara se t’ua zbulojë ato, ndërsa po ua mëson metodat për të arritur caqet në mënyrë të pandershme dhe jashtëligjore. Brenda UP-se nuk ka merita dhe vlerësime profesionale. Ka dallavere, rrena e favore për të arritur te sukseset studentore: notat, diplomimi e karriera. Dhe si mund të mos ndodh në këtë situatë, që vajzat si kategori e shtypur sociale, të mos shfrytëzohen e ngacmohen seksualisht? Profesorët që ngacmojnë dhe shfrytëzojnë seksualisht studentet, zakonisht janë ndyrësira që janë sjell nga partitë politike pameritueshëm në pozitat që mbajnë. Ata nuk frikësohen nga ndonjë autoritet, sepse ndyrësirat sipër tyre i mbrojnë, por ka mjete të disponueshme për t’iu kundërvënë edhe atyre.

Unë dëgjoj shpesh nga njerëz të ndryshëm se si çdonjëri prej tyre di një, dy apo tre raste të një ngacmimi apo kushtëzimi seksual të njërit prej profesorëve në UP. Ne flasim për këta profesorë, për viktimat e tyre, për situatat e ngacmimeve të hapura gjatë ligjëratave, për qëndrimet e gjata të studenteve në zyrat e profesorëve. I dimë emrat e të gjithëve të gjithë ne, por s’flasim për ta publikisht. Autoritetet e UP-së dhe ato të drejtësisë injorojnë denoncimet e viktimave, i trajtojnë me hajgarellëk vuajtjet e tyre që i rrënojnë shpirtërisht. Pra, për patriarkalët si ta, s’ka dert se kështu bëjnë burrat. Edhe vet do të bënin kështu.

Aktualisht, denoncimi publik me emra e mbiemra të profesorëve që veprojnë sipas këtyre medotave, është mjeti më i fuqishëm dhe efikas për të luftuar këtë dukuri. Secili prej tyre frikësohet se mos një studente do të dalë një ditë në publik për ta rrëfyer tregimin e saj. E kuptueshme që mund të jesh viktimë e stereotipizimeve pastaj, por nuk është e turpshme ta denoncosh një krim si ky. Unë mendoj se do të ishte heroike nëse një studente do të bënte kështu. Denoncimi publik frikëson dhe parandalon profesorët që ngacmojnë dhe shfrytëzojnë seksualisht studentet. Me këta kretenë s’mundemi të fitojmë ndryshe, përpos se të ballafaqohemi me ta.

S’mund të presim nga vetë UP-ja dhe gjykatat e mbushura me seksistë e mizogjenë që t’i kuptojnë e mbrojnë studentet. Ata i fajësojën ato për atë që u ndodh. U thonë se janë veshur në mënyrë provokative, prandaj profesorët kanë të drejtë kur s’durojnë dot më. Ata janë vetë ngacmuesit dhe dhunuesit, dhe jo vetëm seksualisht. Ngacmuesit seksual duhet t’i bëjmë të turpërohen publikisht, para familjeve të tyre, grave të tyre, fëmijëve të tyre. Kjo është arma e vetme që viktimat e kanë në dorë dhe duhet të fillojnë ta shfrytëzojnë sa më shpejt.

SHPËRNDAJE