Deputetë e ministra kandidatë për kryetarë komunash

Garës për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale të 22 tetorit i kanë hyrë edhe disa deputetë të Kuvendit dhe të paktën dy ministra të Qeverisë së Kosovës.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, nuk e ndalon garën e tyre, por parasheh dorëheqje nga posti paraprak në rast të zgjedhjes së tyre. Nga ana tjetër, njohësit politik në vend, thonë se pjesëmarrja e tyre në këtë garë, është mungesë e kuadrove nga partitë politike dhe njëkohësisht paraqet ngecje të punës së institucioneve.

Rreth 14 kandidatë për kryetarë të komunave në Kosovë, aktualisht janë deputetë të Kuvendit të Kosovë dhe të paktën dy prej tyre ministra në Qeverinë e Kosovës. Ky numër i lartë, sipas analistëve politik po konsiderohet pamjaftueshmëri e kuadrove të partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje lokale. Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Radio Kosovën se angazhimi i përfaqësuesve të njëjtë nga niveli qendror në atë lokal, tregon se partitë politike nuk kanë kuadër për kandidat.

“Mendoj që kjo e dëmton përfaqësimin qytetar dhe po vjen kryesisht si rezultat i asaj se partitë politike nuk po kanë kuadër të mjaftueshëm që të garojnë edhe në nivel lokal dhe në atë qendror. Në këtë mënyrë mundohen që të bëjnë një lloj arnimi që t’i kenë kandidatët e njëjtë, fytyra të njëjta në të dy nivelet e qeverisjes”, tha ai.

Krasniqi po ashtu thotë se Kosova sapo ka formuar institucionet dhe kjo do të pengojë edhe punën e legjislativit:

“Kështu që do të duhej që të gjithë ata të cilët tani kanë shfaqur ambicie për kryetarë të komunave të bëjnë dorëheqje nga posti i deputetit për shkak që në këtë mënyrë po paralizojnë edhe punën e Kuvendit. Nuk është pra vëmendja në bërjen e ligjeve në Kuvend. Shpesh ka quar edhe në dështimni e mbledhjeve për shkak se nuk ka pasur kourum të mjaftueshëm prej anës së deputeteve”, tha ai.

Edhe Valmir Ismaili nga Demokracia Plus, pjesëmarrjen e zyrtarëve institucional në fushatë zgjedhore e sheh si ngecje të punës së institucioneve:

“Përveç dëmtimit të buxhetit kjo ndikon edhe në efikasitetin e punës së institucioneve shtetërore ku fokusi i zyrtarëve do të jetë për të bërë fushatë e jo për të kryer punët që janë të ngarkuar. E nëse e kemi parasysh se Kosova vetëm sa ka konstituuar edhe Qeverinë edhe Kuvendin, kërkohet një dinamikë e madhe, atëherë ndikimi i fushatës do të jetë shumë i madh dhe shumë gjëra nuk do të ecin përpara gjatë kësaj periudhe sa ë kemi fushatë”, tha ai.

Ndryshe pavarësisht pjesëmarrjes së tyre në fushatë, përdorimi i aseteve publike gjatë fushatës është ndaluar edhe përmes një urdhri nga kryeministri Haradinaj, i cili paralajmëron masa në bazë të ligjeve, në rast të keqpërdorimit të pasurisë zyrtare gjatë fushatës në zgjedhjet lokale.

/

SHPËRNDAJE