Deputetët e infektuar me koronavirus, nisin procedurat për të mundësuar votimin online

Në seancat e fundit të Kuvendit disa deputetë nuk kanë arritur që të jenë prezentë, për arsye se janë konfirmuar pozitiv me koronavirus. Nga zyra e kryeparlamentares Vjosa Osmani kanë bërë të ditur për Gazetën Express se grupet parlamentare dhe kryetarja e Kuvendit do të mblidhen për të shikuar mundësitë e harmonizimit të qëndrimeve për mbajtjen e seancave online.

Edhe këtë javë deputetët do të mblidhen në seancë të Kuvendit. Megjithatë, disa prej tyre nuk do të arrijnë që të votojnë për marrëveshjet ndërkombëtare e rezolutat për pandeminë.

Votimet mund të dështojnë pasi që një numër i deputetëve është konfirmuar pozitiv me koronavirus.

Derisa kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka një kohë që ka kërkuar që të shqyrtohet mundësia e mbajtjes së seancave online, një kërkesë e tillë është përsëritur edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit.

Për të është diskutuar edhe në mbledhjen e fundit të kryesisë. Nga zyra e kryeparlamentares Vjosa Osmani kanë bërë të ditur për Gazetën Express se në kryesi kur është diskutuar për këtë cështje, ka pasur disa shqetësime nga grupet parlamentare.

“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, ndër të tjera, u trajtua edhe mundësia e ndryshimit të rregullores së Kuvendit, ndryshim i cili do të mundësonte zhvillimin e seancave përmes platformave online dhe votimin me korrespondencë.  Megjithatë përgjatë diskutimeve janë ngritur disa shqetësime nga disa grupe parlamentare, sidomos lidhur me mënyrën e votimit dhe për çështjet për të cilat do të mund të lejohej votimi me korrespondencë”, thuhet në përgjigje, derisa, bëhet e ditur se në mbledhjen tjetër të kryesisë do të ketë një takim koordinues për këtë temë.

“Në mbledhjen e Kryesisë është dakorduar që përgjatë javës së ardhshme të zhvillohet një takim koordinues ndërmjet Kryetares së Kuvendit dhe shefave të Grupeve Parlamentare për të shikuar mundësitë për harmonizimin e qëndrimeve dhe arritjen e një konsensusi potencial lidhur me përmbajtjen e amendamentit i cili më pas do të hudhej në votim në seancë plenare”, thuhet tutje.

Për të votuar ndryshimin e rregullores së Kuvendit, duhen votat e 80 deputetëve.

“Në nenin 81 (Ndryshimi i Rregullores) të Rregullores së Kuvendit, është përcaktuar: “Miratimi dhe amendamentimi mi i Rregullores së Kuvendit bëhet sipas procedurës së paraparë për Ligjvënie” dhe që “Rregullorja e Kuvendit dhe amendamentet miratohen me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, pra së paku 80 vota “PËR””, bëhet e ditur.

Kjo nënkupton se, amendamentimi i Rregullores duhet proceduar njëjtë si procedura e propozimit dhe miratimit të një projektligji, e që përshinë: Propozimin nga së paku 6 deputetë, një grup parlamentar ose një komision parlamentar, Parashtrimin në Zyrën për Propozime dhe Parashtesa, Kryesia e procedon tutje, duke ia shpërndarë deputetëve dhe e ngarkon Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, si komision funksional për shqyrtim dhe raportim, Shqyrtimi me dy lexime.

Kjo procedurë nëse shkohet me afate të rregullta merr kohë deri në dy muaj, megjithatë,  nëse shmanget rregulloria mund të procedohet me shmangie nga afatet procedurale të parapara me Rregullore, por duke respektuar procedurat e domosdoshme.

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë me datë 23 korrik, derisa, në rend të ditës janë pikat e mbetura  nga seancat e kaluara, përkatësisht votimi i pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojiten 80 vota për, si dhe dy propozim-rezolutat nga debati i fundit i Kuvendit lidhur me menaxhimin e pandemisë Covid 19 nga ana e qeverisë.

Ndërkaq në orën 11:00, do të fillojë seanca e rregullt plenare, me pikat e rëndomta të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Seanca pritet të vazhdojë me debatin parlamentar lidhur me situatën financiare në Telekomin e Kosovës, të kërkuar nga GP i Vetëvendosjes, si dhe debatin parlamentar sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës./GazetaExpress/