Deputeti Haxhiu: Ata që e menaxhuan Trepçën e kanë sjellë atë buzë falimentimit me 16 milion Euro borxhe

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu sot në Kuvendin e Kosovës ka përkrahur kërkesat e drejta të grevës së minatorëve të Trepçës për shpëtimin dhe zhvillimin e saj.

Deputeti Haxhiu, ka thënë se menaxhmenti që ishte më parë e ka sjell në këtë gjendje Trepçën, me shumë borxhe dhe buzë falimentimit. ‘Kemi ardhur në një situatë kur minatorët detyrimisht duhet të hyjnë në grevë për të kërkuar zhvillimin e Trepçës, sepse ata që e menaxhuan Trepçën e kanë sjellë atë buzë falimentimit. Llogaritet se ai menaxhment i ka shkaktuar borxhe Trepçës rreth 16 milion Euro, pa llogaritur borxhet në muajtë e fundit’, ka thënë deputeti Haxhiu, përcjell Gazeta Online Veriu.info.

Haxhiu thotë se këtë shqetësim e ka ngritur disa herë në Kuvend por edhe tek kryeministri Mustafa në atë kohë, sepse menaxhmenti i mëhershëm e kishte shndërruar Trepçën në ndërmarrje profitabile duke i lënë mjete të gatshme, por edhe koncentrat në vlerë prej 15 milion Euro, por që më pas menaxhmeti pasues e dërgpo atë buzë falimentimit.

Prej se është miratuar Ligjin për Trepçën, ai thotë se vazhdimisht ka kërkuar që të behet strategjia për zhvillimin e saj. Nuk mundet Trepça të ec drejtë zhvillimit pa e pasur një strategji të qartë të zhvillimit të saj.

Haxhiu ka kërkuar nga ministri i Zhvillimit ekonomik dhe nga kryeministri që hartimin e statutit të Trepçës ta bëjnë bashkërisht me strategjinë për zhvillimin e saj.  ‘Këto dy dokumente duhet të jen në përputhje me synimet e minatorëve dhe me synimet tona për Zhvillimin e Trepçës, sepse me një Trepçë të ngritur ekonomikisht do të kemi edhe një Mitrovicë më të ngritur ekonomikisht por edhe Kosovë më të ngritur ekonomikisht’, ka thënë deputeti Bekim Haxhiu në Kuvendin e Kosovës./Veriu.info/

 

SHPËRNDAJE