Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, përmes një postimi në facebook ka dhënë sinjale se mes LDK-së e Lëvizjes Vetëvendosje, do të arrihet shpejt koalicioni.
Ai madje ka shkruar se ky ndryshim, “po iu dhemb” PAN-it e PSD-së.
“Si të shihni që politikanët e PAN-it e PSD-së , dhe të ” pavarurit ” e varur nga ata, të shkruajnë zi e terr e me nervoz ndaj mundësisë së koalicionit VV-LDK, kuptone që puna është mirë. Ndryshimi po iu dhemb shumë”, shkruan Avdyli në facebook.
Dje e sot u raportua në media se mbrëmjen e kaluar në Prapashticë ka ndodhur një takim mes LDK’së dhe VV’së.
Megjithatë, deputetja e zgjedhur nga radhët e VV’së, Albulena Haxhiu, ka mohuar të ketë ndodhur ky takim.
Kujtojmë se Kurti e Mustafa, kanë thënë se dy ditët e fundit të kësaj jave do të bëhet e pamundura për ta gjetur një marrëveshje për bashkëqeverisje, premtim që e kishin dhënë edhe përpara zgjedhjeve të 6 tetorit.
Ndërkaq, Albulena Haxhiu e VV-së dhe Vjosa Osmani e LDK-së, të dyja pjesë e ekipeve që kanë zhvilluar negociatat, kanë shprehur gatishmëri edhe për lëvizje prej ofertave të fundit.