Deputetja Reshitaj reagon ndaj deklaratave të Gjuriq, ka një kërkesë nga Kryeministri Kurti

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka reaguar ndaj deklaratave të Marko Gjuriq, i cili u shpreh se hekurudha do të lidhë Beogradin me “provincën jugore serbe”.

Ish-ministrja Reshitaj është shprehur se Gjuriq duhet të njihet më mirë me historinë e një populli sakrifikues e vetëflijues, para se të flet me gjuhë të tillë provokative kur të dy vendet gjenden në një hap të rëndësishëm që u arrit sot, njofton Klan Kosova.

”Duhet ta njihni më mirë historinë e një populli liridhashës, sakrifikues e vetëflijues zotëri Gjuriq, para se të flisni me një gjuhë të tillë ndjellakeqe dhe provokative në një hap të rëndësishëm sot. Aleatët tanë tashmë e njohin Kosovën, i njohin shqiptarët dhe e kuptojnë rëndësinë dhe vlerën thelbësore mbi të cilën jetojnë ata. Politikat e gabuara tuajat dhe kolegëve tuaj kanë prodhuar gjithmonë destabilizim, luftë dhe urrejtje mes popujve tanë, por në fund epilogun e kanë pas dëshpërues.

Prandaj mos vazhdoni me gabimet historike të paraardhësve tuaj në momente kur po provohet të ndërtohen ura komunikimi e bashkëpunimi civilizues mes nesh. Në kushte normale sot ju dhe miqtë tuaj në prag të 12 vjetorit të pavarësisë së vendit do duhej të uronit festën e jo të përçoni mesazhe ofenduese e të vazhdoni edhe pas më shumë se një dekade që Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, me të njëjtën mendësi shkatërruese”.

Në përfundim të deklaratës së saj, deputetja Albena Reshitaj që vjen nga partia opozitare AAK, ka kërkuar që shefi i Qeverisë Albin Kurti, të reagojë lidhur me deklaratat e fundit të dhëna nga Marko Gjuriq, njofton Klan Kosova.

”Fatkeqësisht, historitë mund të përsëriten por shqiptarët janë mësuar të mbrohen gjithmonë në të drejtën e tyre pa marrë parasysh sa arrin t’i ndajnë e përçajnë të tjerët.

Kryeministër mos hesht!”

SHPËRNDAJE