Der Spiegel: Merkel e Macron do t’i vënë vijë prekjes së kufijve

Në Ballkanin Perëndimor po diskutohen ide nacionaliste si zgjidhje për konfliktet. Kancelarja Merkel dhe kreu francez i shtetit, Macron duan të evitojnë skenarë të tillë në një samit në Berlin, shkruan revista e përjavshme gjermane e lajmeve, Der Spiegel.

Shkëmbime territoresh, kufij etnikë, zhvendosje e grupeve etnike – janë ide thellësisht të rrezikshme që liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor si Serbia, Bosnje Herzegovina, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po merren në konsideratë si perspektiva serioze politike për rajonin e tyre prej disa muajsh.

Edhe pse propozimet të sjellin në vëmendje kohën e luftërave në ish-Jugosllavi dy dekada e gjysmë më parë, disa vende anëtare të BE dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara kanë sinjalizuar mbështetjen për disa projekte, veçanërisht për shkëmbimin territorial ose ndryshimet kufitare mes Serbisë dhe Kosovës.

Por tani Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron duan të tu vënë vijën këtyre debateve të zjarrvënësve të rinj dhe ento-nacionalistëve.

Merkel dhe Macron kanë ftuar krerët e shteteve dhe qeverive të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në një samit në kancelari të hënën. Është vetëm një takim thjesht joformal, por kancelarja gjermane dhe presidenti francez, nga ajo që duket, duan t’u japin fund këtyre debateve të muajve të fundit me fjalën e tyre të pushtetshme. Në të njëjtën kohë, pritet të ketë lëvizje sidomos në dialogun e bllokuar mes Serbisë dhe Kosovës. Gjithashtu në diskutim do jetë edhe një ndihmë financiare më e madhe për rajonin.

Frika nga precedenti

Informacionet e para rreth këtij takimi nisën disa javë më parë nga mediat kosovare dhe serbe. Që prej atëherë, politikanët në rajon kanë anashkaluar deklaratat rreth asaj që presin nga samiti. Sidoqoftë, në kancelari dhe mes diplomatëve gjermanë mbizotëron një heshtje e madhe për detajet e takimit.

“Në përgjithësi, takimi në Berlin duhet të jetë një lloj udhëzimi bindës orientues për disa politikanë diskriminues të Ballkanit Perëndimor,” – thotë për “Spiegel” studiuesi i shkencave politike, Dushan Reljiç nga Fondacioni për Shkenca dhe Politikë.

“Frika e një precedenti nga ndryshimet e reja kufitare në Ballkanin Perëndimor është shumë e madhe sidomos në Gjermani”, – thekson Reljiç.

Shkak për nisjen e këtij debati etno-nacionalist në rajon ishte përpjekja për një zgjidhje radikale të konfliktit të Kosovës: Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi, mesa duket u pajtuan në negociata të fshehta për shkëmbimin territorial si një zgjidhje – edhe pse ata publikisht e mohojnë këtë deri më sot. Ideja është që të transferohet shumica e pjesës veriore të banuar nga serbët tek Serbia, kurse Kosova do të marrë shumicën e Luginës së Preshevës në jugperëndim të Serbisë, e banuar kryesisht nga shqiptarët.

Në Serbi dhe Kosovë, ideja e shkëmbimit territorial po shkakton shumë polemika

Me një zgjidhje të tillë të konfliktit, presidenti i Serbisë kërkonte të hapte rrugën për një integrim të shpejtë të vendit të tij në BE. Ndërsa presidenti kosovar, Thaçi, nga ana tjetër kërkonte ta shpallte veten si një menaxher i suksesshëm i krizës, në mënyrë që të sigurojë mbijetesën e tij politike dhe të shmangë akuzat nga Tribunali Special i Kosovës për krimet e luftës.

Vuçiç ka kundër jo vetëm partitë e vogla opozitare, por edhe shumicën e shoqërisë serbe e cila kundërshton çdo kompromis për çështjen e Kosovës. Në Kosovë, nga ana tjetër, Thaçi është kryesisht vetëm – qeveria, partitë parlamentare, shumica e shqiptarëve të Kosovës dhe madje shumica e serbëve të Kosovës e kundërshtojnë një ndarje të vendit.

Megjithëse pothuajse të gjithë ekspertët e diplomacisë të Ballkanit Perëndimor folën kundër idesë së shkëmbimit territorial, pas hezitimit fillestar, ideja u mbështet nga shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, Komisioneri i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn, Austria, Hungaria dhe së fundmi edhe qeveria e Trump.

Ky legjitimim në nivel global politik nxiti shumë zjarrvënës në Ballkanin Perëndimor. Kreu i Republikës Serbe të Bosnjes, Milorad Dodik, e mirëpriti këtë ide sepse është në përputhje me planin e tij për t’u shkëputur nga Bosnje Hercegovina.

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, flet hapur për idenë e një Shqipërie të Madhe, e cila mund të përfshijë pjesë të Maqedonisë dhe Kosovës. Rusia ka mbajtur distancë nga debati deri më tani, por presidenti Vladimir Putin do të ishte dakord për një rishikim të kufijve, për shkak se do i shkonte për shtat pas aneksimit të Krimesë, përcjell lapsi.al.

Gjithsesi, nëse “udhëzimi” i Merkel dhe Macron do ndikojë në diçka, kjo mbetet e dyshimtë sipas shumë ekspertëve të Ballkanit.

“Për një kohë të gjatë”, – thotë Dushan Reljiç, – “as fjalët e mira dhe as presioni nga kryeqytetet e BE dhe vetë BE-së nuk ka lëvizur bllokadën mes Beogradit dhe Prishtinës dhe në Bosnje Herzegovinë”.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE