Dështimi i diplomacisë kosovare

Vetëm një njohje ka arritur sivjet për shtetin e Kosovës.

Ky mund të quhet njëherësh edhe si dështim i diplomacisë kosovare. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe ka shtete edhe që kanë tërhequr njohjen për Kosovën.

Diplomacia kosovare më nuk e ka prioritet lobimin për njohje të reja të shtetit. Tash, gjithë energjitë i ka fokusuar në mbrojtjen e njohjeve, por edhe në bindjen e partnerëve të saj për ta mbështetur në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, e veçmas në UNESCO e INTERPOL.

Shtatë vende kanë tërhequr vendimet e mëhershme për njohjen e Kosovës. Një nga to është Liberia, e cila e kishte njohur shtetin më të ri të Ballkanit tre muaj pas pavarësisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Të tjera vende që kanë revokuar vendimet janë: Guinea Bissau, e cila njohjen e kishte bërë në 2011-n, Sao Tome dhe Principe, Burundi dhe Papua Neë Guinea, që vendimet i kishin marrë në 2012-n, sikur edhe Lesotho që të njëjtën gjë e kishte bërë në 2014-n dhe Suriname në 2016-n. Dy prej tyre i kanë rikthyer sërish njohjet. Pishman janë bërë Guinea Bissau dhe Liberia.

Çnjohjen janë duke e konsideruar edhe rreth dhjetë vende të tjera, i kanë thënë gazetës burime në Qeveri. Ato kanë qenë cak i kampanjës së fundit të Serbisë, nëpërmjet së cilës synon t’ia zbehë Kosovës subjektivitetin ndërkombëtar.

SHPËRNDAJE