Dështon Daçiq, s’arrin ta bind Antiguan dhe Barbudan për ta çnjohur Kosovën

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka pritur të shtunën në Beograd homologun e tij nga Antigua dhe Barbuda, me shtetin e të cilit Kosova kishte vendosur marrëdhënie diplomatike gjatë vitit të kaluar.

Ai, pas takimit me Chet Greene ka deklaruar se Antigua dhe Barbuda nuk e ka tërhequr zyrtarisht njohjen e Kosovës, por e ka definuar qëndrimin e saj, kështu që “do të respektohet sovraniteti i Serbisë, do të përkrahet dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës dhe do të merren parasysh rezultatet e tij”, raporton Fonet.

Daçiq ka thënë se “nuk është risi që Serbia aktualisht po përballet me presion të madh nga Perëndimi që ta ndalë fushatën kundër njohjeve të Kosovës, por se kjo fushatë do të vazhdojë”, transmeton Koha.net.

Duke e komentuar dilemën nëse Xhamajka e ka njohur apo jo Kosovën, Daçiq ka thënë se nga Xhamajka ende nuk është pranuar ndonjë shkresë zyrtare dhe sqarim nëse e kanë njohur apo jo Kosovën, kështu që “këtë gjendje tani e mbajmë të hapur”.

Greene ndërkaq ka thënë se gjë pozitive është që me Daçiqin nuk është folur vetëm për Kosovën, por edhe çështje tjera.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE