Dështon gjykimi për sulmin kundër gazetarit Gazmend Morina

Si pasojë e vazhdimit të grevës së personelit administrativ, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor, për sulmin ndaj gazetarit Gazmend Morina në vitin 2016, e paraparë të mbahej këtë të mërkurë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri.

Gjykatësi i rastit, Ferki Xhaferi, i njoftoi palët prezente se nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance për shkak se stafi administrativ i kësaj gjykate gjendet në grevë, me ç’rast seanca e radhës u caktua më  9 gusht 2018.

Në këtë rast, të akuzuar janë Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, të cilët nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, janë të ngarkuar për kryerjen e veprave penale “kanosja ” nga neni 185, “lëndimi i lehtë trupor” nga neni 188 dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 333 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë  Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Nexhat Dedia,  më 23 janar 2016, në Shkup, ka kanosur personin tjetër se do ta gjej një e keqe ashtu që pasi që kishte publikuar një foto në Facebook, së bashku atëkohë me menaxherin e Kombinatit “Trepça”, Ahmet Tmava dhe të akuzuarin tjetër Labinot Krasniqin.

Bazuar në aktakuzë, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që tani i dëmtuari Gazmend Morina, në foton e publikuar nga i akuzuari Dedia, ka shkruar komentin “nuk paska me pas krizë për Trepçën”, ku pas tre orësh, i pandehuri Dedia e ka kërcënuar të dëmtuarin Morina, se do t’ia sheh sherrin kur të kthehet në Kosovë, duke i thënë “ki me pa se kush jam unë, ke me pas problem për këtë punë”.

Me këtë, i akuzuari Nexhat Dedia, akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja” nga neni 185 i KPRK-së.

Në vazhdim të aktakuzës, të akuzuarit Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, në bashkëkryerje më 26 janar 2018, në Vushtrri, i kanë shkaktuar lëndim trupor të dëmtuarit Gazmend Morina, ashtu që sipas aktakuzës, me forcë kanë hapur derën e automjetit “Fiat Punto”, në të cilin ka qenë i ulur i dëmtuari, me ç’rast kanë filluar ta sulmojnë dhe ta godasin të dëmtuarin me shufra metalike, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore , skuqje në laprën e veshit të anës së majtë, në regjionin e shpatullës dhe krahut të majtë me pasoja  të përkohshme për shëndetin.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, të akuzuarit ngarkohen edhe me veprën penale  “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 333 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Betimiperdrejtesi.com/Nora Kelmendi/

SHPËRNDAJE