Detaje të reja të ngjarjes në AKI, ja sa plumba mori viktima

Një përleshje mes punëtorëve të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës, përfundoi në mënyrë tragjike. Isa Sejdiu humbi jetën pas plagëve që mori nga dy plumbat që u hodhën në drejtim të tij.

Pjesëtari i sigurimit në AKI-së, Valon Ibërdemaj dyshohet se gjuajti me armë drejt kryekuzhinierit Sejdiu, duke e lënë këtë të fundit pa shenja jete.

Në Prokurorinë e Themelore të Prishtinës i kanë thënë Gazetës Express se në trupin e viktimës janë gjetur dy plumba. Ndërkohë që në AKI, kanë deklaruar se rasti nuk ka të bëjë me çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e saj.

Gjithçka nisi në bufenë e Agjencisë Kosovare të Intelegjencës. Isa Sejdiu kishte filluar punën sikurse çdo ditë tjetër në AKI, ku punonte si kryekuzhinier. Por, të martën ai ishte penguar gjatë kryerjes së detyrës.

Pjesëtari i sigurimit në këtë institucion, Valon Ibërdemaj kishte shkuar dhe ishte përleshur me Sejdiun, ku më pas kishte gjuajtur me dy plumba drejt tij dhe e kishte lënë pa shenja jete.

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes i kanë thënë Gazetës Express se menjëherë pasi që Sejdiu kishte ardhur në vendin e tij të punës, Ibërdemaj kishte shkuar dhe ishte përleshur me kryekuzhinierin.

Ata tregojnë se fillimisht i dyshuari e kishte goditur Sejdiun në vende të ndjeshme duke e lënë të shtrirë në tokë. Por, nuk kishte vonuar shumë e kishte shtënë edhe me armë ndaj tij duke e lënë pa shenja jete.

Dëshmitarët tregojnë se në trupin e viktimës u drejtuan dy plumba.