Dialogu po konsiderohet si jo transparent e pa llogaridhënie

Opinionistja Jehona Lushaku-Sadriu vlerëson se për procesin e dialogut me Serbinë, nuk ka pasë llogaridhënie.

Sipas saj, partitë politike, nuk janë marrë seriozisht me dialogun dhe as nuk ka pasë as diskutim shoqëror për këtë çështje.

“Çështja e zgjidhjes së përhershme me Serbinë, nuk ka qenë pjesë e angazhimeve dhe as e partive politike. Është përcjellë një proces i dialogimit, në njëfarë forme i imponuar nga Bashkësia Ndërkombëtare, por ajo është ankoruar në pjesën juridike dhe me obligimet që kemi marrë”.

“Është me rëndësi të theksohet që paralel me zhvillimin e dialogut, asnjëherë s’ka pasë diskutime shoqërore dhe gjithëpërfshirjen në dialog. Ky dialog, ka qenë proces i ndarë pa transparencë dhe llogaridhënie”, ka thënë Lushaku-Sadriu në Rubikon.

“Krejt faturën kjo ide e mori, për shkak se aludohej se presidenti Thaçi, me një lloj llogarie edhe në nivelin personal, e ka bërë njëfarë diskutimin për shkëmbim territoresh. Për këtë, arriti ta ketë këtë diskurs në publik”.

Lushaku-Sadriu thotë se ne nuk e dimë se çka po dojmë prej dialogut dhe cila është zgjidhja që “neve na pëlqen me Serbinë, as këtë ne nuk e dimë”.