“Diaspora Flet” në Kuvend

Nesër, dyert e Kuvendit të Kosovës do të hapen për të pritur diasporën në një seancë pune.

Përmes konferencës katërditore “Diaspora Flet”, Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim Germin, mundëson që bashkatdhetarët nga vende të ndryshme të botës të debatojnë me deputetët për çështje që lidhen me diasporën dhe të drejtat e tyre.

Kryeparlamentari Kadri Veseli do të moderojë seancën e punës dhe do të bëjë hapjen e saj para se t’ia japë fjalën profesionistëve të fushave të ndryshme të diasporës shqiptare, për t’iu dëgjuar zëri rreth temave të ndryshme që lidhen me të drejtat politike, shoqërore e ekonomike.

Richard Lukaj, drejtor ekzekutiv i “Bank Street Group” në Nju Jork do të flasë për investimet strategjike dhe edukimin, Brikena Muharremi, avokate dhe anëtare e bordit Germin si dhe udhëheqëse e shoqatës së avokatëve shqiptaro-britanik në Londër të Britanisë së Madhe, do të flas për qasjen institucionale në të drejtën e diasporës për votë.

Po ashtu nga një fjalë do të mbajnë edhe Mark Kosmo, anëtar i bordit Germin dhe udhëheqës i MAASBESA në Boston, Lulzim Syla nga NRW në Gjermani, Indira Kartallozi, nga Antverpen në Belgjikë dhe Hilmi Gashi.

Pas përfundimit të mbledhjes kushtuar diasporës, pjesëmarrësit e konferencës do të jenë pjesë e katër mbledhjeve të ndara nëpër komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Nga të gjitha sesionet e punës përfaqësuesit e diasporës së bashku me deputetët do të dalin me rekomandime për mënyrën e përfshirjes së diasporës në krijimin e politikave që avancojnë situatën e diasporës dhe shoqërisë së vendeve të tyre të origjinës.

SHPËRNDAJE