Disa pjesë të Kosovës ballafaqohet me probleme të rrymës

Reduktimet dhe prishjet e energjisë elektrike po iu shkaktojnë dëme të shumta bizneseve në Kosovë.

Kjo po i parqet probleme edhe kompanisë kosovare të prodhimit të mishit “Meka Hallall Food”, me seli në Dragash.

Prishjet e energjisë elektrike kanë lënë në terr banorët e Dragashit për 24 orë. Por edhe përkundër rregullimit, pronari i “Meka Hallall Food”, Burim Piraj, për FaktePlus thotë se tensioni i rrymës është shumë i dobët, saqë me këtë tension nuk mund të funksionojnë pajisjet.

“Kohët e fundit ka pas ndërprerje të energjisë elektrike gjatë natës. Po dyshohet se ka reduktime, por dje ka pas prishje dhe nuk ka qenë shkak mungesa e energjisë por prishje dhe ekipet e KEDS nuk e kanë rregulluar më shumë se 12 orë dhe për këto orë na është dashtë të punojmë me gjenerator. Mbrëmë në ora 2 natës ka dalë prej sistemi komplet Komuna e Dragashit dhe deri në 8:30 nuk ka pas energji elektrike. Por tash kur e lëshojmë energjinë elektrike është aq e dobët saqë as kompjuteri nuk punonte. Pasta prapë është prish trafo për shkak tensionit jashtëzakonisht të dobët dhe tani e rregulluan. Brenda 24 orëve ne nuk kemi pas energji elektrike. Dhe prapë tensioni  nuk është i duhuri i cili i nevojitet një fabrike për të funksionuar normalisht”, tregoi Piraj.

E kjo mungesë dhe prishje e energjisë elektrike që po ndodhë siç tha ai vazhdimisht po e bënë të pasigurt Piraj ku siç thotë ai “nuk është hajgare puna me mish”. Madje ka theksuar se kjo ndikon dhe tek investitorët e huaj.

“Shumë po ndihem i pasigurt për këtë që ka ndodhë. Shumë një pasiguri e madhe. Nuk është vetë për ne, por paramendoni ndonjë investitor i huaj qysh mundet të vij këtu dhe të investoj kur kaq shumë e proklamojnë Kosovën si vend që ka një ambient të mirë të biznesit. Kjo nuk është mirë. Po ndihemi shumë të pasigurt për shkak të mungesës me energji elektrike se nuk është hajgare puna me mish. Kjo është shumë një pasiguri e madhe për ne”, tha ai.

Piraj tregoi edhe për dëmet që po iu shatohen në mungesë të energjisë elektrike.

“Gjatë një orë përafërsisht 30 deri 50 euro harxhojmë naftë për gjenerator. Do me thënë nëse 10 orë nuk ka atëherë 500 euro neve na kushton. Përveç kësaj, kemi prishje të pajisjeve , kemi mosfunksionim të rregullt të makinave, kemi shume prishje të makinave që pastaj po duhet t’i eliminojmë. KEDS kur vijnë thonë se trafën duhet ju ta shikoni nuk është përgjegjësi e jona…më shumë na bëjnë pengesa se sa që na bëjnë mirë”, ka thënë Piraj.

Ndërsa, zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala për FaktePlus, tregon se ka pasur prishje në atë pjesë por që më pas janë rregulluar.

“Ka pas prishje tereni atje është goxha malor. E kemi rregullu por sot në mëngjes ka pas prapë prishje, por ekipet janë atje dhe janë duke e rregulluar por bëhet fjalë për prishje në rrjet”, ka thënë Buzhala.

SHPËRNDAJE