Djemtë kosovarë që ishin zhdukur, familja nuk dëbohet nga Gjermania

Të enjten, më 19 prill, në Borsdorf pranë Leipzigut të Gjermanisë, ishte ngritur alarmi se ishin zhdukur dy fëmijë, vëllezërit Leotrimi 11 vjeç dhe Qëndrimi, 13 vjeç.

Një ditë më vonë (dje, më 20 prill), këtë shqetësim e kishin shpërndarë edhe mediat gjermane, dhe duke iu referuar atyre, edhe ato shqiptare, shkruan “Albinfo”.

Ndërkaq sot, në orët e paradites mediat në Kosovë e kishin lajmin nga Ambasada e Kosovës në Gjermani, se dy vëllezërit janë gjetur. Mediat gjermane nuk kishin njoftuar për këtë. Deri para më pak se një ore, kur televizioni gjerman MDR ka dhënë lajmin në vijim:(Shtyp mbi linkun e mëposhtëm dhe shiko pamjen ⤵)

“Dy djemtë kosovarë janë gjetur sërish. Ata kanë ardhur të premten shëndosh e mirë në qendrën e përbashkët të banimit në Borsdorf (ku kanë qenë të vendosur si azilkërkues, së bashku me familjarët tjerë). Sipas policisë, në asnjë moment ata nuk kanë qenë në rrezik jete”, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa ajo që është më simptomatike në këtë lajm është se: “Familja e dy djemve është dashur që gjatë kësaj jave të dëbohej në Kosovë. Mirëpo, pasi që fëmijët (dy djemtë) nuk ishin në qendrën e strehimit bashkë me familjen, dëbimi nuk u bë”.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse autoritetet gjermane vetëm kanë shtyrë për një datë tjetër ekzekutimin e vendimit për dëbim, apo e kanë anuluar tërësisht atë.

SHPËRNDAJE