Doktori tregon se nga cila sëmundje rrezikohen më së shumti kamerierët kosovarë

Problemi i venave të zgjeruara daton qysh në kohën antike dhe nga ajo kohë është e vërtetuar se ky problem nuk është vetëm estetik, por edhe sëmundje.

Dr. Valbon Gashi, kirurg vaskular, shpjegon në detaje pse shkaktohen venat e zgjeruara. Ai thotë se më herët është menduar se femrat dominojnë në sëmundjen e venave, por tani ky raport ka ndryshuar duke u rritur edhe numri i meshkujve.

Gashi thotë se në këtë sëmundje luan rol të rëndësishëm profesioni, ku pacientit i duhet të qëndrojë në këmbë për një kohë të gjatë. Më të rrezikuarit, sipas tij, janë kamerierët, kameramanët, kirurgët etj.

“Në momentin kur lajmërohen këto mbufatje, atëherë vena e ka mundur pacientin. Ajo fillon gradualisht fazat e saj deri në lajmërimin e ulcerave”, thotë Dr. Gashi.

“Kur i dimë faktorët mund t’u kundërvihemi atyre. Por nëse qëndrimi në këmbë është i stërzgjatur, atëherë e vetmja mënyrë është lëvizja dhe jo të qëndrojë në një vend”.

“Në vena ekzistojnë disa valvule të cilat janë sikurse rrotat e veturës kur mbushën ajër bllokohen. Këtë rol e kanë edhe këto valvule dhe kur ka defekte në këto valvule atëherë gjaku sa shkon lart aq edhe kthehet poshtë në bazë të gravitetit. Ky presion i cili rritet shkakton zgjerimin e venave tjera dhe degëve sipërfaqësore apo venat e jashtme”.

“Prandaj preferohet lëvizje sepse aktivizohet pulpa”, shpjegon Dr. Gashi.

Ai shton se palëvizshmëria dhe obeziteti janë ndër faktorët kryesorë në paraqitjen e venave varikoze.

Dr. Gashi pohon se te shtatzënat shkaktar i venave varikoze janë hormonet apo zbritja e frytit në pjesën e legenit.

Sipas tij, venat varikoze mund të mos shkaktojnë dhimbje por megjithatë duhet të konsultohet mjeku.

Dr. Gashi tregon se janë 6 faza të zgjerimit të venave.

Faza 1 dhe 2 janë kur paraqiten venat “merimangë” apo ato të zgjeruara por që nuk shkaktojnë komplikime.

Në fazën e tretë këmbët fillojnë të ënjten.

Në fazën katër nis kruajtja e këmbëve.

Ndërsa në fazën 5 dhe 6 paraqitet ulcera e cila vështirë trajtohet edhe me preparate.

SHPËRNDAJE