Drenori: Afër 7 mijë euro janë vjedhur vetëm nga antifrizi në Drenas

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Drenasit ka investuar vetëm 1.600 euro nga 8.330 euro sa figurojnë se janë shpenzuar për antifriz në shkollën e mesme të ulët “Rilindja”, në Dobroshec.

Kështu ka thënë Xhevat Drenori, në një intervistë për KosovaPress, me ç’rast ka publikuar faktet sic tha ai për krimet ekonomike që posedon lidhur me këtë rast. Ai thekson se nga 8 mijë e 330 euro sa janë të shpenzuara për antifriz në shkollën e mesme të ulët “Rilindja” në Dobroshec, 6 mijë e 730 euro janë vjedhur.

“Ky rast lidhet me furnizimin me antifriz në shkollën fillore të mesme të ulët “Rilindja” në Dobroshec. Bëhet fjalë për një shumë të shpenzuar prej 8 mijë e 330 euro për antifriz në shkollë. Ndërsa pas hulumtimeve tona del që shuma është tejet e fryrë. Në fakt, pas të gjitha analizave që janë bërë të cilat do t’i eksploroj në vazhdimësi këtu para jush, del që nga shuma prej 8 mijë e 330 euro, ne pretendojmë që 6 mijë e 730 euro janë vjedhur ndërsa vetëm 1 mijë e 600 janë investuar”, ka thënë ai.

Përkundër asaj se organet kompetente vazhdojnë të heshtin lidhur me këtë rast, ai konsideron të rrugës që qytetarët e Drenasit të njoftohen me dëmet ekonomike që i janë shkaktuar buxhetit komunal, si dhe shpjegon hollësisht të gjeturat e hulumtimit që ka bërë lidhur me këtë çështje.Pas kësaj, thotë se ka filluar të dyshojë edhe sa i përket sasisë dhe cilësisë së antifrizit, me ç’rast ka gjetur se në këtë aspekt ka pasur mashtrime të mëdha.

Sa i përket akuzës që i ka bërë Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Bekës, Drenori ka shpjeguar se kjo ka ardhur si pasojë e mosveprimit të kryeprokurorit përkundër faktit se e ka njoftuar me çështjen dhe i ka dhënë provat që dokumentojnë shkeljet penale.

Ndryshe, Drenori ka konfirmuar për KosovaPress se do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Ai në këto zgjedhje do të garojë si kandidat i iniciativës qytetare “Iniciativa për Drenasin”.

SHPËRNDAJE