Duke tentuar të shkruajë “kërkes”, Dekani i Juridikut në UPZ bën 28 gabime drejtshkrimore

Ushtruesi i detyrës së Dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, Safet Krasniqi, duke se nuk i ka punët hiç mirë me shqipen letrare. Në një kërkesë me pak më shumë se një faqe, ai ka bërë 28 gabime drejtshkrimore.

Në kërkesën zyrtare, që Krasniqi ia ka dërguar muajin e kaluar Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës, vërehen gabime themelore të drejtshkrimit, sidomos mungesa e shkronjës “ë” në disa fjalë.

Profesori Krasniqi e ka shkruar gabimisht madje edhe një fjalë që përdoret shpesh në zhargonin universitar. Fjalën “korrespondencë” në këtë dokument e ka shkruar katër herë në mënyrë të gabuar, në dy versione të ndryshme – “korrespodenc” dhe “korospodencë”.

Përpos kësaj fjale, Dr.Krasniqit duket se i vijnë të vështira edhe fjalët “vit”, “pasojë” e “jashtë”, sepse këto i shkruan “vitë”, “pasoj” e “jasht”.

Nuk mbaron me kaq mjerimi gjuhësor i udhëheqësit të Fakultetit Juridik. Ai nuk e ka shkruar mirë as fjalën kryesore të dokumentit, fjalën “kërkesë”, që e shkruan pa “ë”. Përpos kësaj, duket se i shkolluari brenda e jashtë vendit nuk di as si formohet shumësi i emrave të gjinisë mashkullore, sepse në vend se të shkruajë “studentë të rregullt” dhe “studentëve”, ai ka shkruar “student të rregullt” dhe “studentve”.

I ka lënë të gjymta edhe disa fjalë që përdoren përditë nga profesorët e studentët, siç janë fjalët “i akredituar” dhe “kalueshmëria”, shkruan Gazeta Express.

I doktoruar më 2013 në “International University of Struga”, Safet Krasniqi ka të publikuar në CV-në e tij se ka përfunduar studimet Master në Kolegjin “Fama”, ndërsa studimet themelore në Universitetin e Prishtinës para 23 vjetëve. Doktoratën thotë se e ka në fushën e shkencave politike, ndërkaq ushtron funksion në një fushë tjetër, atë të juridikut, ku e mban pozitën e ushtruesit të detyrës së Dekanit në Prizren.