Dy deputetë janë në gjendje të rëndë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka konfirmuar edhe njëherë se sot do të përfundojë drama e demarkacionit. Ai madje ka deklaruar se nuk do të lejojnë të pengohet ky proces.

“Sot do të përfundojë drama e shënimit të kufirit me Malin e Zi. Sot do të votohet dhe nuk do të lejohet të ketë pengesa. Liberalizimi i vizave do të ndodhë. Kemi parë deklaratat e zyrtarëve të lartë, ne do të kryejmë obligimet tona dhe qytetarët të respektohen në mënyrën që edhe akademikët e studentët të kenë mundësi të lëvizin lirshëm”, tha i pari i Kuvendit Veseli.

Ai ka folur edhe për hedhjen e gazit lotsjellës nga deputetët e Vetëvendosjes. Sipas tij, janë dy deputetë që janë në gjendje të rëndë shëndetësore. (Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

“Ju e keni parë hedhje të gazit lotsjellës, kemi deputetë që kanë gjendje shumë të keqe nga këto atake. Nuk është mirë, mos u cenoni jetën kolegëve tuaj”, tha tutje Veseli.

Kryesia gjithashtu ka vendosur për përjashtimin e 5 deputetëve të Vetëvendosjes, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Seanca pritet të vazhdojë në orën 15:15.