Dyshohen se keqpërdorën miliona marka të luftës së UÇK-së – dekorohen nga Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka dekoruar sot kryeministrin e parë të Kosovës, Bujar Bukoshin dhe nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Halitin me medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Xhavit Haliti ishte akuzuar publikisht muaj më parë nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni se gjatë kohës së luftës kishte marrë 8 milionë marka, raporton Insajderi.

Haliti sot nuk është përballur me akuza. Ai sot është dekoruar me medalje nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, sot e dekorova njërin ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, anëtarin e delegacionit të bisedimeve në Rambuje dhe nënshkruesin e Deklaratës së Pavarësisë, Xhavit Halitin, për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Insajderi kishte realizuar javë më parë dokumentarin për fondin e 3%, ku Gani Hoxha aktivist i këtij fondi kishte akuzuar Halitin se kishte marrë 5 milionë marka nga Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa.

Në anën tjetër Quni në një emision televiziv muaj më parë kishte akuzuar Halitin se nga Ahmet Krasniqi ai kishte marrë 7 apo 8 milionë marka.

“Unë kam qenë në Tiranë kur nga koloneli Ahmet Krasniqi për nevoja emergjente të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Haliti iu kanë dhënë në dispozicion nga fondi i qeverisë 7 apo 8 milionë marka”, kishte thënë Quni.

Gjatë ditës së sotme ndaras nga Haliti, kryeministri i parë i Kosovës Bujar Bukoshi u dekorua me medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë nga Thaçi. Ky i dyshuari kryesor për keqpërdorim me fondin e 3%.

“Kryeministrin e parë të Kosovës, Bujar Bukoshin, i cili ishte edhe iniciues i nënshkrimit të apelit të intelektualëve kundër suprimimit të autonomisë dhe pjesëmarrës në Rambuje, sot e dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë. Ish-kryeministri Bukoshi ka dhënë kontribut të çmuar për lirinë, pavarësinë dhe punën e përbashkët në institucionet e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Bukoshi, është i dyshuari kryesor për keqpërdorime me Fondin e Republikës së Kosovës të njohur si “tre përqindëshi”. Ai ishte marrë në pyetje nga Drejtoria e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës dy vite më parë.

Insajderi kishte raportuar edhe në të kaluarën ku qindra mijëra euro ishin tërhequr nga ky fondi i 3 përqindëshit mes viteve 2006-2011. Shuma prej 512 mijë e 936 eurove është nxjerrë nga bankat jashtë vendit nëpërmjet 16 transaksioneve të dyshimta.

Bukoshi e kishte pranuar se janë kryer këto transaksione, por nuk ka sqaruar se për çfarë qëllimesh. Ka thënë se të gjitha janë bërë me miratimin e Bordit të Unionit të Fondeve të Republikës së Kosovës (UFORK), pjesë e të cilit ka qenë ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

Dokumentarine plotë për fondin e 3% mund ta shikoni duke klikuar: Këtu