E dhimbshme: Familjes nga Skenderaj rryma ia mbyt lopën e vetme nga e cila mbijetonte

Familjes së Ismet Vojvodës nga Llausha e Skenderajt i ka ngordhur lopa e vetme nga e cila po mbijetonte. E gjithë kjo, siç kanë thënë familjarët, ka ardhur si shkak i rrjetit elektrik në këtë fshat.

Në mungesë të shtyllave elektrike në këtë fshat, banorët janë detyruar që kabllot e rrymës t’i vendosnin nëpër pemë. Por, vendosja e këtyre kabllove, rezultoi edhe me ngordhjen e lopës së familjes Vojvoda.

Kështu ka njoftuar gazetari i televizionit publik, Gëzim Bimbashi i cili ka bërë publike edhe një e-mail që atij i është dërguar nga familja e Ismet Vojvodës.

“Në mungesë të shtyllave elektrike në lagjen Vojvoda në Llaushë të Skenderajt, banoret janë detyruar qe telat t’i vendosnin neper pemë për mos me i lënë ne tokë. Por më datë 27.10.2018 fëmijët e Ismet Vojvodës nga Llausha, pasi kishin lëshuar lopën për kullosë erërat e forta i kishin hequr telat nga pema duke ia mbytur lopën”, ka shkruar Bimbashi.

Sipas e-mailit të familjes, Ismeti ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës dhe KEDS-in mirëpo, edhe pse është premtuar se do të kompensohet për këtë, që nga viti i kaluar një gjë e tillë deri më tani nuk është bërë.

“Ismeti për ketë rast i ka informuar Policinë e Kosovës dhe KEDS-in ndërsa përfaqësues të KEDS-it i kanë thënë që do t’i ja paguajnë lopën por deri me tani kjo kompani nuk e ka kryer obligimin. Ismeti thotë se me këtë lopë e ka mbajtur familjen, pasi nuk ka ndonjë të ardhur tjetër përveç një pension të veteranit të UCK-së”, ka përfunduar shkrimin ai./Blic