E grushtoi nxënësin në oborr të shkollës, vjen reagimi i profesorit të gjimnazit që dikur ishte boksier

Një profesor i gjimnazit në Podujevë e ka sulmuar me grushte një nxënës në oborr të shkollës.

Në stilin e boksierëve, Sabit Kopalla, ka ushtruar dhunë ndaj nxënësit. Në një xhirim amator, profesori i anglishtes shihet teksa grushton fëmijën derisa nxënësit e tjerë e ndajnë. Nuk dihet ende pse ka ndodhur ky grushtim derisa Policia dhe Prokuroria ende nuk e kanë intervistuar dhe as arrestuar profesorin e dhunshëm.

Sabit Kopalla, profesor në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë ka sulmuar në mënyrë brutale një nxënës të shkollës së tij, raporton Llapi.info.

Sipas dëshmitarëve, grushtimi ka ndodhur në shkollën “Ibrahim Rugova” në të cilët gjenden disa paralele të ndara të gjimnazit.

Profesori Sabit Kopalla ka mohuar se ka grushtuar nxënësin. Ka thënë se vetëm ka ndërhyrë për t’i ndarë nxënësit e tjerë derisa përlesheshin.

“Më kanë lajmëruar nxënësit dhe në momentin që ka dashur të ikë unë e kam ndalur për ta dërguar në drejtori”, ka thënë Kopalla.

Por, në xhirimet Kopalla shihet duke e grushtuar nxënësin derisa fëmijët e tjerë e ndajnë.

Madje, profesori pasi e ndajnë njëherë i vërsulet përsëri nxënësit dhe e grushtoi në hyrje të oborrit të shkollës.

Videon mund ta shikoni KËTU

SHPËRNDAJE