E konfirmon Ramiz Kelmendi: Kjo është arsyeja e takimit me Ramush Haradinajn

Ish – deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi ka konfirmuar takim e tij që gjatë ditës së sotme ka pasur me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj në hotel “Dukagjini” në Pejë, shkruan Gazeta Blic.

Kelmendi për Gazetën Blic tha se ky takim ka ndodhur rastësisht në momentin kur ai ka qenë duke shkuar për të pirë kafe në këtë hotel. Tha se gjatë këtij takimi ka pirë kafe me Haradinajn porse, siç u shpreh ai, nuk ka pasur ndonjë bisedë për kalim në AAK.

“Kjo ka ndodhur rastësi sot sepse unë shkoj shpesh në në Hotel “Dukagjini” pse unë aty shkoj edhe e pi kafen e drekës dhe në atë kohë ka ardhur edhe zotëri Haradinaj dhe jam përshëndetur miqësisht pasi kam qenë për një kohë të gjatë me të. E kemi pirë nga një kafe së bashku dhe kemi biseduar me të përgjithësisht por nuk ka diçka konkrete”, tha Kelmendi.

I pyetur nëse ai do të kalojë në partinë e Haradinajt (AAK), Kelmendi tha se nuk ka pasur ndonjë kërkesë të tillë.

“Nuk ka pasur as kërkesë për kalim e as unë nuk kam ndonjë kërkesë për me aderu dhe ka qenë vetëm një takim miqësor”, tha ndër të tjera Kelmendi.

Ndryshe, ish-zv/kryeministri dhe biznesmeni i njohur kosovar Ramiz Kelmendi, për vite të tëra ka qenë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe një prej personave të afërt me Ramush Haradinajn në çështje jetike për rritjen e AAK-së në Kosovë./

SHPËRNDAJE