E thotë zyrtari i PDK’së: Në listat zgjedhore të partisë s’do të ketë njerëz me afera korruptive

Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK’së Izmi Zeka ka thënë se kjo parti nuk do të përfshijë emra me afera korruptive në listat zgjedhore.

Dega e PDK’së në Gjilan ende nuk e ka bërë publik emrin e kandidatit të saj për garën për Kryetar të Komunës së Gjilanit, e as listën e atyre që do të garojnë për asamblenë komunale.

Lidhur me këtë nënkryetar i Degës dhe anëtar i Këshillit Drejtues Izmi Zeka, ka bërë të ditur se emri i kandidatit do të bëhet publike të martën, por ajo që është e rëndësishme të dihet, sipas tij, është fakti se edhe kandidati edhe lista për asamblistë, do të jenë emra të respektuar për të cilët PDK’ja ka unanimitet të plotë.

Zeka për Portalin “2LONLINE”, ka thënë se në listat e PDK’së nuk do të ketë njerëz me afera korruptive e as njerëz që janë nën hetime nga organet e hetuesisë, por do të jetë listë e pastër që garanton fitore dhe rikthimin e PDK’së në pushtet për të qeverisë për qytetarët.

Zeka deklaroi se PDK’ja, është në përfundim të listës zgjedhore. Sipas tij, PDK’ja, ka qenë unanime edhe për kandidatin për kryetar të Gjilanit. Ai nuk ka dashtë të jap ndonjë emër, por vetëm ka thënë se zyrtarisht publike do të bëhet të martën, ndërsa sa i përket përfoljeve mbi këtë çështje, se kandidat mund të vije dikush edhe jashtë strukturave, Zeka ka thënë se janë veç thashetheme, sepse PDK’ja ka kuadër dhe potencial të mjaftueshëm për të gjithë kandidatët, edhe për listë, edhe për kandidatin për kryetar që do ta qeverisë Gjilanin.

Ai deklaroi se janë në fazë ne diskutimeve dhe konsultimeve me strukturat e degës, me shoqërinë civile, me gjithë akterët në Gjilan, për ta përmbyllur edhe këtë fazë të listës zgjedhore dhe të kandidatit për kryetar dhe se lista e PDK’së do të jetë listë gjithëpërfshirëse e qytetarëve të Komunës së Gjilanit, me mbështetjen e plotë të strukturave të PDK’së.

“Në zgjedhje e 22 tetorit edhe njëherë PDK’së do të tregojë se është parti e qytetarëve dhe parti e cila do të udhëheqë me komunën e Gjilanit, për ta larguar këtë keqqeverisje dhe rikthyer qeverisjen e mirë”, ka thënë Zeka.