E turpshme: Minatorët grevistë askush nga qeveria nuk i vizitoi

Vendimi i fundit nga Qeveria e Kosovës, për rritjen e pagave ka bërë që të hyjnë në grevë edhe Minatorët e Trepçës dhe ata të Minierës së Artanës.

Minatorët thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe se do të mbyllen edhe nën tokë.

“Janë gjashtë kërkesa zyrtare. Njohja e pensionit 70 % e pagës nga mosha 50-55 vjeçare, ligji për invalid të punës, stazhi i benificuar, sigurimi shëndetësor në punë, njohja e stazhit nga viti 1989-1999 dhe pensioni familjar”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Blerim Ymeri, përfaqësues i punëtorëve.

Me këto kërkesa ka tre ditë që kanë hyrë në grevë minatorët e Minierës së Artanës.

Por nëse nuk do të realizohen kërkesat e tyre, 320 punëtorët e kësaj miniere kanë menduar edhe rrugë të tjera.“Për momentin është kjo grevë, por gjendja mundë të ndryshojë, mund të mbyllet edhe miniera”, ka thënë më tej Blerim Ymeri.

Nuk është hera e parë që minatorët po hyjnë në grevë megjithëse kërkesat janë të njëjtat por ato asnjë herë nuk u realizuan nga Qeveria e Kosovës.

Të gjithë këta grevistë kanë mbështetje edhe nga drejtori Vrajolli.

“Kjo është dita e tretë e grevës, fatkeqësisht nuk jemi takuar me askënd deri më tani, edhe pse kërkesat janë të njohura qysh më parë. Greva është organizuar nga sindikata, por ne si menaxhment i konsiderojmë kërkesat plotësisht si të arsyeshme”, ka deklaruar drejtori Hysen Vrajolli.

Megjithëse nuk i vizitoi askush nga Qeveria këtu u pa Islam Pacolli, deputeti i Aleancës Kosova e Re. Nga këtu i dërgoi një porosi bashkë partiakut të tij, ministrit të zhvillimit Ekonomik.

“Sot kam ardhur me pa si e kanë shëndetin, natyrisht se do u jap përkrahjen në parlament. I bëj thirrje ministrit të Zhvillimit Ekonomik që ta marr parasysh se këto janë minierat më të pasura të Kosovës”, deklaroi deputeti i AKR-së, Islam Pacolli.

Minatorët janë të vendosur që të mos heqin dorë nga asnjëra prej kërkesave të tyre. Kjo pasi çdo ditë e më shumë po ju keqësohen kushtet e punës duke mos pasur as sigurim shëndetësor, Deri më tash nuk ka pasur asnjë reagim nga Qeveria për këtë grevë.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE