E zaptoi pozitën që mbante Vokrri, nuk lejon tjerët të kandidojnë |Dokument

Fiks një javë pasi kryetari i ndjerë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, papritur kishte ndërruar jetë, nënkryetari i parë ka nxituar të zë vendin e tij, gjë pritet ta bëj ende pa kaluar një muaj nga vdekja e legjendës së futbollit kosovar.


Vokrri kishte ndërruar jetë të hënën më 9 qershor, ndërsa më 16 qershor Komiteti Ekzekutiv (KE) i FFK’së, në mbledhje e drejtuar nga nënkryetari i parë, Agim Ademi, kishte shpallur datën e  “Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor”.

“Pas vdekjes së Kryetarit legjendar, Fadil Vokrri dhe pas mbështetjes dhe sugjerimeve të zyrtarëve më të lartë të FIFA-s dhe UEFA-s, për të mos lënë zbraztirë institucionale mori këtë vendim në bazë të kompetencave të veta të dala nga Statuti i FFK-së”, shkruan në arsyetimin e atij vendimi.

Sipas Statutit të FFK’së, delegatët duhet të ftohen në Kuvendet e Jashtëzakonshëm më së paku 20 ditë, ndërsa kandidatët për të kryetar të FFK’së si kusht për kandidim duhet të mbledhin 15 nënshkrime nga 61 delegatë sa ka Kuvendi.

Por, Gazeta Metro mëson se Agim Ademi do të jetë kandidati i vetëm pasi i ka mbledhur mbi 50 nënshkrime, dhe kështu ia ka pamundësuar kujtdo të kandidojë kundër tij. Andaj nuk do të ketë as garë e as ballafaqim programesh.

Neni 29 i Statutit të FFK’së, pika 3 si kusht për zgjedhjen e kryetarit parasheh protokolimin e propozimit “së paku dy muaj para datës së mbajtjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor”.

Edhe sekretari i Përgjithshëm i FFK’së, Eroll Salihu, thotë se ky është Kuvend i Jashtëzakonshëm Zgjedhor, andaj duhet mbajtur 20-30 nga diët e vendimit për Kuvendin.

Sidoqoftë në nenin 25 të Statutit e FFK’së janë paraparë 3 lloje të mbledhjes së Kuvendit: të rregullt, zgjedhor dhe të jashtëzakonshëm.

Në Statut parashihet mbajtja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, por jo e “Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor”. Por Salihu vlerëson se është e njëjta gjë, dhe se vlejnë apo ato dispozita të Statutit të FFK’së.

Ai poashtu konfirmoi se Agim Ademi ka dorëzuar nënshkrimet që kërkohen në kandidaturë.

E kur dihet se janë mbi 50 nga 56 vota, zgjedhja e kryetarit mbahet vetëm formalisht, ndërsa mbetet të shihet a janë shkelur aktet normative të FFK’së. /gazetametro.net

Ftesa dërguar delegatëve

SHPËRNDAJE