Edhe Mitrovica e shënon Ditën Botërore të Mjedisit

Përfaqësues të komunës e institucioneve të tjera komunale, përfaqësues të OJQ-ve, përfaqësues të kompanive të ndryshme, dhe individë të shumtë, kanë marrë pjesë në aktivitetet e organizuara për shënimin e Ditës Botërore të Mjedisit.

Në krye të më shumë se 300 pjesëmarrësve (nxënës, studentë, qytetarë, punëtorë të kompanive të ndryshme etj.) ishin kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, drejtorët e drejtorive komunale, këshilltarja e kuvendit të komunës Valbona Sadiku dhe personalitete të tjera.

Hapësirat që u pastruan gjatë kohës sa zgjati aktiviteti për shënimin e Ditës Botërore të Mjedisit ishin ato përreth ndërtesës së administratës komunale, sheshet dhe bulevardet kryesore në qendrën e qytetit, parku i qytetit nga ura kryesore mbi lumin Ibër deri mbi vigun tek tre rrokaqiejt, hapësira përmes liqenit akumulues në Suhodoll etj.

Aktivitetet e organizuara për shënimin e Ditës Botërore të Mjedisit i vlerësoi si shumë të suksesshme kryetari i komunës, Agim Bahtiri.

“Unë falënderoj gjithë këta nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të qytetit dhe pjesëmarrësit e tjerë që iu bashkëngjiten aktivitetit dhe që i bënë të pastra gjithë këto hapësira të qytetit do të ishte mirë dhe unë bashkë me institucionet komunale do të krijojmë kushte dhe do ti ftojmë qytetarët që pastërtia në qytetin e Mitrovicës të jetë vazhdimisht e këtillë çfarë e bëmë sot”, tha ndër të tjera kryetari i Komunës, Agim Bahtiri.

Aksionin për pastrimin e qytetit në Ditën Botërore të Mjedisit e organizuan Komuna e Mitrovicës me institucionet e saj, OJQ- BËM, OJQ-“ SHALA”, CBM, kompania “UNITETI”, dhe disa kompani të tjera.

SHPËRNDAJE