Edhe një ekip tjetër i madh e kërkon me ngulm Muriqin

Klubi anglez është i interesuar për sulmuesin kosovar, të cilin e ka vëzhguar në ndeshjen Angli – Kosovë, por edhe të hënën në Superligën turke në humbjen e Fenerbahçes nga Alanyaspori të hënën mbrëma

Tottenhami duket se e ka seriozisht për Vedat Muriqin, shkruan Gazeta Express.

Klubi anglez duket të jetë mjaft i interesuar për sulmuesin kosovar, i cili po i shijon momentet më të mira të karrierës.

Në fakt, Spurs e kanë vëzhguar përmes zyrtarëve të tyre futbollistin prizrenas në ndeshjen ndërmjet Anglisë dhe Kosovës, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Dhe, nënkampioni evropian nuk është ndalur me kaq.

Sipas mediumit “Sport Witness”, Tottenhami i ka dërguar skautët e tij për të vëzhguar 25 vjeçarin edhe në ndeshjen e së hënës mbrëma në Superligën turke, ku Fenerbahçe u mposht nga Alanyaspori.

Muriqi kishte impresionuar me paraqitjen e tij ndaj “Tre Luanëve”, ku i kishte dhuruar dy asistime për Valon Berishën dhe e kishte shënuar një gol nga penalltia, të cilën e kishte nxjerrë vetë.

Trajneri Mauricio Pochettino e do Muriqin në ekipin e tij për t’i bërë konkurrencë Harry Kanet.

Muriqi ka kontratë me Fenerin deri në qershor të vitit 2023, ndërsa klubi nga Stambolli flitet se ia ka vendosur shumën e klauzolës për shkëputjen e kontratës me një vlerë prej 50 milionë eurosh.

Muriqi ka realizuar 7 gola në 22 paraqitje për Kosovën, ndërsa e ka gjetur golin dy herë për Fenerbahçen në ndeshje zyrtare.

Ai kishte impresionuar sezonin e kaluar tek Rizespori.

SHPËRNDAJE