Edhe një vërtetim se si u manipuluan votat nga komisionerët FOTO

Anëtari i AKR-së, Jetlir Zyberaj, i cili është edhe shef i kabinetit të ministrit të Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, ka paraqitur fakte se si janë keqpërdorur votat në në një vendvotim në Gjilan.

Nga ajo që paraqet ai, nga rinumërimi del se koalicioni AKR-Nisma ka gjashtë vota, derisa në numërimin e parë nuk kishte asnjë.

“Rinumërimi i plotë i votave është i nevojshëm. E, deformuesit e vullnetit popullor, llogaridhënie”, ka thënë ai.

Edhe anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Isa Xhemajlaj, ka publikuar në profilin e tij në Facebook, një pretendim për manipulim me vota në Drenas.

Xhemjalaj, që është edhe kryetar i degës së kësaj partie në Drenas, ka publikuar një procesverbal, kur pretendohet se Nisma në një vendvotim kishte 50 vota, derisa në numërimin e parë i ishte shënuar vetëm një votë.

“Ky është vetëm një shembull nga dhjetëra të tillë se si qëllimshëm dëmtohet Nisma në Drenas. Besoj që Prokuroria duhet t’i intervistojë Komisionerët dhe menaxherin e KKZ-së në Drenas për anshmërinë e tyre politike gjatë zgjedhjeve dhe devijimin e qëllimshëm të vullnetit të qytetarëve”, ka thënë Xhemajlaj.

Sipas tij, “raste të tilla ka edhe në Abri, Arllat, Nekoc, Komoran dhe shumë qendra tjera votimi”.

“Kjo dukuri e vjedhjes së votave që po na përcjell në Drenas në të gjitha zgjedhjet Lokale dhe Qendrore duhet të marrë fund”, ka thënë ai.

SHPËRNDAJE