Ekskluzive: Avdullah Hoti sot propozon ministrat e LDK’së, votohen pastaj në Kryesi

I nominuari për kryeministër të Kosovës, nga radhët e LDK’së, Avdullah Hoti, sot do të propozojë emrat e ministrave të cilët më pas do të votohen në Kryesinë e partisë. Kryesia e LDK’së do të mblidhet sot në orën 16:00 për këtë çështje.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Express, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

“E propozon sot z.Hoti, i nominuar për KM, një listë iniciale të kabinetit qeveritar nga LDK, pastaj vendosë Kryesia”, ka deklaruar Mustafa.

I pari i LDK’së ka shtuar se derisa Kryesia e LDK’së të marrë vendimin, asnjë emër i përmendur deri më tani për pjesë të kabinetit qeveritar, nuk është definitiv.

“Pa vendosë Kryesia e LDK-së, s’ka asnjë emër definitiv, përpos z. Hoti, për të cilin është vendosur më herët”, ka thënë Mustafa.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhet sot në orën 16:00, për të diskutuar dhe votuar rreth përbërjes së kabinetit të ri qeveritar.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës të enjten ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re.

Gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër.

Presidenti Thaçi mandatoi më 30 prill Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të formuar një qeveri të re dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimit të presidentit.

Të gjitha partitë politike përveç Vetëvendosjes kanë kërkuar formimin e një qeverie të re ndërsa kanë theksuar se do të pranojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje, ndërsa kryetari i saj, Albin Kurti, ka thënë se kjo parti do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa një gjë e tillë do të jetë interpretim i Kushtetutës.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE