Ekskluzive: Demanti i ambasadës franceze dëshmon se Qalaj gënjeu publikisht për gazin lotsjellës

Ambasada e Francës në Kosovë, e ka demantuar Drejtorin e Policisë, Rashit Qalajn, rreth deklaratës se përmes kësaj ambasade kanë kontaktuar me prodhuesin e gazit. Qalaj kishte deklaruar se kanë marrë përgjigjen nga prodhuesi se mund t`ua huazojnë atë policisë së Shqipërisë, por ambasada ka mohuar se ka ndërmjetësuar policinë dhe prodhuesin francez të gazit.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, e kishte pranuar publikisht se është përfshirë në skandalin e huazimit të 500 granatave të gazit lotsjellës nga Policia e Kosovës tek ajo e Shqipërisë.

Skandali ishte publikuar nga Gazeta Insajderi para dy jave. Bëhej fjalë huazimin e 500 granatave të gazit nga Policia e Kosovës për Policinë e Shqipërisë.

Për shkak të ndjeshmërisë, rregullat në blerjen e armëve e gazit lotsjellës janë specifike. Në momentin e kontraktimit, blerësi-Policia e Kosovës, nuk lejohet që t’ia huazojë dikujt tjetër.

Qalaj publikisht pati deklaruar se kishte leje për ta huazuar gazin, pasi kishte kontaktuar me prodhuesin përmes Ambasadës së Francës në Kosovë.

“Kolegët nga MPB-së së Shqipërisë kanë kontaktuar Ministrinë e Brendshme të Kosovës dhe kanë kërkuar që të huazojnë 500 granata gazi lotsjellës. Ministri jonë i Brendshëm, Ekrem Mustafa, i ka dërguar shkresë ministrit të Jashtëm Pacolli, nga i cili ka marrë konfirmimin me shkrim se kjo marrëveshje mund të delegohet tutje”.

“Ne po ashtu përmes zyrës së bashkëpunimit ndërkombëtarë, kemi kontaktuar me prodhuesit e gazit përmes Ambasadës Franceze, nga e cila kemi marrë përgjigje se mund të vazhdojmë”, pati deklaruar Qalaj në KTV.

Por Ambasada e Francës në Kosovë, e ka demantuar Qalajn, duke mohuar që ka ndërmjetësuar në këtë rast.

“Ambasada e Francës nuk është e autorizuar të ndërhyjë në menaxhimin e materialeve të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kosovës”, tha Nexhmi Musliu nga Ambasada e Francës në një përgjigje për Gazetën Insajderi.

Gazeta ka kontaktuar edhe me kompaninë prej nga Policia e Kosovës e ka blerë gazin, por ajo ende nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Insajderi, në një hulumtim të publikuar para dy javëve, ka zbuluar se drejtori i Policisë Rashit Qalaj ka ndihmuar që të shtypen protestat e opozitës në Shqipëri.

Për shkak të ndjeshmërisë, rregullat në blerjen e armëve e gazit lotsjellës janë specifike. Në momentin e kontraktimit, blerësi-Policia e Kosovës, nuk lejohet që t’ia huazojë dikujt tjetër. Është përdorues i fundit i armës dhe mban përgjegjësi se si e përdorë atë.

Mirëpo, ky rregull është thyer nga Rashit Qalaj, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Ai ka vendosur që t’ia huzojë 500 granata me gaz Policisë së Shqipërisë.

Ky vendim i tij, sipas burimeve të Gazetës Insajderi, ka ardhur pas presionit që atij i është bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kjo sasi prej 500 granatave me gaz ishte “dhuratë”, e Thaçit për partnerin e tij politik Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë.

Implementimi i tij duhet të bëhej nga drejtori Qalaj, njeri i lidhur dhe i dëgjueshëm i PDK-së së themeluar nga Thaçi.

Po ashtu, pjesë formale e implentimit do të duhej të ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme. Atëkohë, këtë post e mbante Ekrem Mustafa, i cilësuar nga kritikët e opozitarët si ministër analfabet dhe i padijshëm.

Insajderi ka siguruar letrën që Mustafa ia kishte dërguar shefit të tij, Behgjet Pacollit. Duhej formalisht edhe “vula” e Pacollit për marrëveshje ndërkombëtare.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE