Ekskluzive: Ministrat e Edi Ramës planifikojnë t’i hyjnë politikës në Kosovë, Gent Cakaj pritet të marrë udhëheqjen e PSD-së

Partia Socialdemokrate e udhëhequr nga Shpend Ahmeti, në një të ardhme të afërt mund të udhëhiqet nga kryediplomati shqiptar Gent Cakaj.

Ky i fundit është shumë ambicioz për t’i hyrë politikës në Kosovë, kurse Ahmeti, siç tregojnë njerëz të afërt të tij, pas përfundimit të mandatit si Kryetar i Prishtinës, planifikon të angazhohet në një projekt jashtë Kosovës.

Pas dështimit zgjedhor dhe shpalljes së rezultateve nga KQZ-ja, dorëheqje prej të gjitha pozitave brenda strukturave të Partisë Socialdemokrate ka dhënë edhe Dardan Sejdiu, i cili ishte një prej figurave kryesore të saj.

Megjithatë, të palëkundur aty vazhdojnë të mbesin ish-deputetët e tjerë që dolën nga Lëvizja Vetëvendosje në krye me Dardan Molliqajn, i cili si duket ka nisur të bëjë plane të reja sesi ta forcojë këtë subjekt politik.

Bashkë me Gent Cakajn, në kabinetin qeveritar të Edi Ramës është edhe vetë bashkëshortja e Molliqajt, Besa Shahini, e cila është Ministre e Arsimit në Shqipëri, që po ashtu pritet të bëhet pjesë e PSD-së kur ta përfundon mandatin qeverisës.

Kurse jashtë Partisë Socialdemokrate, duket se plane të mëdha po bënë edhe udhëheqësi i Klan Kosovës, Baton Haxhiu.

Haxhiu është parë gjithnjë si promovues i madh i Molliqajt në Kosovë dhe si “kumbar” i ministrave kosovarë në kabinetin e Edi Ramës, me të cilin ka miqësi shumë të afërt.

Duke aluduar në planet e reja të socialdemokratëve, vetë Baton Haxhiu ditë më parë tha se Vetëvendosjen në vitet e ardhshme e mundë vetëm Vetëvendosje.

Nuk dihet nëse socialistët e Shqipërisë, të cilët po luftohen hapur nga Vetëvendosje në Tiranë, e mbështesin këtë projekt të ri politik apo thjesht është vetëm ambicie personale e ministrave të kabinetit të Ramës, të afërt me Baton Haxhiun dhe socialdemokratët e Kosovës. /ballkani.info

SHPËRNDAJE