Ekskluzive: Në kërkim të zhvatjes së re për rastin “IPKO”, 32.4 milionë euro u kërkuan si kompensim (Dokumente)

Përfaqësuesit ligjorë të kompanisë “Capital Management Holding PLC”, si partnere prijëse e konzorciumit “Kosmocell”, më 5 prill 2007 kishin paditur Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit në Gjykatën Supreme të Kosovës. Në padinë e tyre, kjo partnere prijëse e konzorciumit “Kosmocell”, pretendon se Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit kundërligjshëm e ka shpallur fituese IPKO-n, duke eliminuar pa bazë ligjore konsorciumin “Kosmocell”.

Duke e mbështetur padinë në pretendimet e saj, sipas dokumenteve të siguruara nga IndeksOnline, “Capital Management Holding PLC” kërkon revokimin e licencës së IPKO-s dhe njohjen e të drejtës së “Kosmocell”-it si operator i telefonisë së dytë mobile, si dhe kompensimin e dëmit material si palë e dëmtuar në këtë proces, në vlerën e dyfishit të Garancionit Bankar, përkatësisht kërkon 32.4 milionë euro. Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit kishte eliminuar “Kosmocell”-in, duke pretenduar se nuk kishte arritur me kohë që t’i përmbushte detyrimet ligjore, përkatësisht të bënte pagesën e zotuar në afat prej dy javësh në xhirollogarinë bankare të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit.

Por, të kundërtën e argumenton kompania prijëse e konzorciumit “Kosmocell”, e cila i referohen si afat ligjor datës kur janë njoftuar pjesëmarrësit në tender dhe jo kur njoftimi u është dërguar mediave. “Me vendimin e Komisionit Vlerësues të Autoritetit Rregullativ të Kosovës, konzorciumi Kosmocell është gjetur si oferta e preferuar, e cila ka fituar tenderin për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë, më datë 6 shkurt 2007. Vendimi i Komisionit Vlerësues iu është komunikuar mediave kosovare me këtë datë. Ky vendim i Komisionit përzgjedhës të ART-së i është komunikuar Qeverisë së Kosovës, më datë 7 shkurt 2007, e cila të njëjtin e ka aprovuar me këtë datë, dhe më datën 8 shkurt 2007, pjesëmarrësit në tenderin e telefonisë së dytë mobile, sipas kushteve të parapara me ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe praktikave të përgjithshme vendore dhe ndërkombëtare të tenderimit, zyrtarisht janë njoftuar në lidhje me shpalljen e tenderit fitues”, shkruan në padinë e kompanisë prijëse të konzorciumit “Kosmocell”, duke argumentuar se ka qenë brenda afateve ligjore, transmeton IndeksOnline.

Në dokumentacionin zyrtar, figuron se “Kosmocell” kishte ofruar si dëshmi dëftesën e pagesës për çmimin e zotuar ndaj Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit më 21 shkurt, një ditë para skadimit të afatit. Ndërsa, vendimi i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit për marrjen e të drejtës për operator të dytë vjen dy ditë pas, pra më 23 shkurt

. “Nëse i padituri insiston se data e njoftimit merret dita kur është bërë komunikimi në media në lidhje me ofertën e parë të preferuar, e kjo është data 6 shkurt 2007, dhe atë para komunikimit të vendimit të Komisionit Vlerësues të Qeverisë së Kosovës, e cila më datë 7 shkurt 2007 kishte dhënë pëlqimin në lidhje me vendimin e ART-së, atëherë i padituri, përmes shkresës ‘Njoftim mbi fituesin e operatorit të dytë të telefonisë mobile’, datë 8 shkurt 2007, ka sjellë në lajthim paditësin, duke e bërë të njëjtin të besojë që nisur nga shkresat e paditësit, praktikat e përgjithshme të procedurave të tenderimit, nisur nga ligji i aplikueshëm i prokurimit në Kosovë, datë e njoftimit mbi fituesin është datë e komunikimit të të njëjtit me pjesëmarrësit në tender (përfshirë edhe fituesin) dhe rrjedhimisht edhe datë e fundit për deponimin e çmimit të zotuar është data 22 shkurt 2007 (apo dy javë pas njoftimit, siç e parashohin rregullat e tenderit, rregulla 3.4). Këtë fakt relevant, dmth, veprimet e tija përmes të cilave e ka sjellë në lajthim paditësin, i padituri fare nuk i ka marrë në konsideratë dhe nuk i ka arsyetuar përmes vendimit të kontestuar”, thuhet ndër të tjera në padinë kundër Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit.

Avokatët Iljaz Ramajli dhe Iliriana Osmani Serreqi, përmes kësaj padie i kishin propozuar Gjykatës Supreme, që pas administrimit të provave ta aprovonin si të bazuar padinë e paditësit “Capital Management Holding PLC”, si partner prijës i konzorciumit “Kosmocell” dhe të anulohej vendimi i ART-së, nr. 76/07, dt. 6 mars 2007, si i kundërligjshëm, si dhe paditësit t’i njihej e drejta e fituesit të tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë.

Ata, po ashtu, kishin rekomanduar që paditësit t’i kompensohej dëmi në vlerë prej 32.4 milionë euro, që përfaqëson dyfishin e shumës së Garancionit Bankar të depozituar nga ana e paditësit, për shkak të dëmit të pësuar nga veprimet e kundërligjshme të të paditurit. Në dosjen e këtij tenderi nuk ekziston vendimi i Gjykatës Supreme lidhur me këtë padi.

SHPËRNDAJE