Ekskluzive: Radojçiq bëhet “kumbarë” për t’u bërë ambasadorë Gjergj Dedaj e Avni Kastrati

Gjergj Dedaj e Avni Kastrati nuk do të mund të procedoheshin për tek presidenti për t’u bërë ambasador pa ndërhyrjen e “Bossit” të veriut, Radojçiq. Kjo nuk është e tëra. Për emërimin e Gjergj Dedajt dhe të Avni Kastratit, pati përplasjes edhe vetë brenda koalicionit PAN. Madje, PDK kërcënoi me prishje të koalicionit.

Burime të “Gazetës Blic”, të afërta me procesin e përzgjedhjes së dy ambasadorëve, thonë se përfaqësuesi i Listës Serbe në Komisionin për Punë të Jashtme ka hezituar të merrte pjesë në takim, gjë që nuk do të kishte kuorum për mbajtjen e mbledhjes së djeshme.

“Është dashur ndërhyrja e Radojçiqit që deputeti i Listës Serbe, të merrte pjesë në këtë mbledhje”, thonë këto burime.

Gjithnjë sipas këtyre burimeve, edhe Deputeti i Nismës, anëtar i këtij komisioni kishte hezituar deri vonë që të shkonte në mbledhje, çka e kishte shtyrë PDK-në që të kërcënonte edhe me prishje të koalicionit.

Zyrtarisht, askush nga anëtarët e komisionit parlamentar për Punë të Jashtme nuk ka pranuar që zyrtarisht të flas për “Gazeta Blic”, në lidhje me mbledhjen e djeshme të këtij komisioni.

Ndërkaq, janë 5 anëtar të opozitës, që dje nuk kanë marrë pjesë në mbledhje, 2 të LDK, 2 të VV dhe 1 i PSD-së.

“Janë pesë anëtar të opozitës, që dje nuk kanë marrë pjesë në mbledhje, dy të LDK, dy të VV dhe një i PSD-së,  ata,  kanë bojkotuar këtë mbledhje“, i tha ky burim Gazetës Blic.

Arsye e mospjesëmarrjes në këtë mbledhje merret vesh se është politizimi i shërbimit diplomatik.

“Koalicioni ka tejkaluar kuotën e emërimit të njerëzve politik në shërbimin diplomatik, dhe kjo është arsyeja pse përfaqësuesit e opozitës e kanë bojkotuar mbledhjen e Komisioni për Punë të Jashtme”, thonë burimet.

Përveç Gjergj Dedajt si drejtues i një partie, “Gazeta Blic”, ka marrë vesh se në shërbimin diplomatik do të sistemohet edhe anëtari i PDK-së, dhe njëherit ish- Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.

Sipas kërkesës së Ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, Kastrati është propozuar që të shkoj si ambasador i Republikës së Kosovës në Slloveni.

“Gazeta Blic”, ka tentuar të kontaktoj me Gjergj Dedajn, por, ky i fundit nuk i ka hapur telefonin redaksisë.

Fuqishëm po e kundërshton edhe Grupit Parlamentar 6+ emërimin e Dedajt, si ambasador i Kosovës në Maqedoni.

Madje në prononcim dhënë për një media vendore, Deputeti i grupit 6 +, Fikrim Danka ka paralajmëruar se  do të bëjnë presion te presidenti që mos ta dekretoj Gjergj Dedaj ambasador.

“Është propozuar në Komisionin e Punëve të Jashtme me votat e PDK-së ka kaluar, pozita e ka votuar, 6+ ka qenë kundër propozimit. Tash është puna te Presidenti. Ne si 6+ kemi kërkuar takim me presidentin, ku do të kërkojmë mos të emërohet, mos të nënshkruhet që Gjergj Dedaj të jetë ambasador dhe ta përfaqësoj Kosovën jashtë Kosovës”, tha Damka.

“Gazeta Blic”, ka kontaktuar edhe me Kryetaren e Komisioni për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani e cila ka thënë se Lidhja Demokratike ka reaguar ndaj kësaj çështje.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar partitë në pushtet për shkelje të ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbim Diplomatik duke emëruar për ambasadorë, siç ka thënë ajo, militantë politik e partiak dhe duke injoruar kërkesën ligjore që mos të tejkalohet kuota prej 50% në emërime politike

Sipas një komunikate të LDK-së, sot, nënkryetarja e Komisionit nga radhët e AAK-së ka thirrur mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme për intervistimin edhe të dy kandidatëve për ambasadorë politikë të propozuar nga MPJ.

“Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike e Kosovës e konsideron këtë proces të paligjshëm dhe për këtë arsye Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, deputetja Vjosa Osmani dhe anëtarja e këtij komisioni deputetja Doruntinë Maloku, kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë mbledhje dhe të bëhen pjesë e shkeljeve ligjore”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, neni 7.7 i Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës kërkon që së paku 50% e të emëruarve si shefa misionesh të jenë Ambasadorë të karrierës, ndërsa pjesa tjetër të jenë të emëruar politik.

“Meqenëse përqindja e të emëruarve politikë në Ambasadat e Kosovës anekënd botës tashmë është tejkaluar dhe arrin në rreth dy të tretat , gjë tëcilën e ka konfirmuar edhe vet Ministri i Jashtëm, z. Pacolli, përfaqësueset e LDK-së në Komision, kanë propozuar që mos të ketë emërime të reja politike derisa të rregullohet kuota prej 50/50, e kërkuar me ligj”, thotë LDK

Grupi Parlamentar i LDK-së konsideron se nënshkrimi i rekomandimeve të tilla nga ana e Presidentit të Kosovës, bie ndesh me ligjin dhe tejkalon kompetencat e tij kushtetuese.

SHPËRNDAJE