Ekskluzive: Serbët e veriut frikësohen për mandatet e asamblistëve, Kuvendet Komunale thërrasin seanca (Dokument)

Kuvendet Komunale të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, nga frika e humbjes së vendeve të tyre të punës si asamblistë dhe shkuarjes në zgjedhje për shkak të mos mbajtjes së seancave të punës, kanë thirrur seancë të rregullt më 16 prill 2019, në orën 15:00.

Këto kuvende nuk kishin mbajtur asnjë seancë që nga 27 nëntori i vitit të kaluar, kur edhe kishin dhënë dorëheqje publike kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, ai i Zveçanit, Vuçina Jankoviq, kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Ballkani.info ka siguruar një ftesë të Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Dejan Guresic, i cili dje i ka ftuar asamblistët për pjesëmarrje në seancë të rregullt.

Asamblistët e komunave veriore të Kosovës, siç shihet në këtë ftesë, një pikë të rendit të ditës e kanë edhe diskutimin e situatës politike atje.

Kryesuesit e Kuvendeve Komunale në komunat me shumicë serbe në veriun e Republikës së Kosovës, si duket nga frika e shpalljes së zgjedhjeve edhe për përbërjet e reja të Kuvendeve Komunale për shkak të mos mbajtjes së seancave të rregullta, janë detyruar ta thërrasin këtë seancë të radhës.

Bazuar në nenin 50 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, shpërndarja e kuvendit jofunksionues të komunës bëhet edhe në rastet kur dështon që të mbajë mbledhje për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave të Kosovës do të mbahen më 19 maj 2019.