Eksperti i prokurimit tregon se si është manipuluar me çmimin e barnave

Eksperti i prokurimit në Organin Shqyrtues të Prokurimit, Agim Sheqiri në “Express Intervistën” në KTV, ka thënë se secili ministër është përgjegjës nëse ka blerë barna me çmim një euro, ndërsa çmimi i saj është dhjetëfishuar një vit pas nënshkrimit të asaj kontrate.

Sheqiri e ka quajtur absurde në prokurim publik nëse një ilaç vitin e kaluar është blerë për 1 euro, ndërsa sivjet kushton 10 euro.

“Është në rregull nëse çmimi i një bari ngrihet në 1.20 euro, por nëse çmimi i është rritur 10 fish, atëherë duhet ta hetojë drejtësia”, ka thënë Sheqiri. (Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

“Kemi një ministër që vendos standarde, për të implementuar këto ne duhet të zbatojmë rregullat e prokurimit publik. Nëse një ministër që është përgjegjës për të nënshkruar një kontratë për një bari që kushton një euro dhe vitin e ardhshëm bëhet 10 euro, atëherë përgjegjësia është e ministrit”, ka shtuar ai.

“Është papërgjegjësi e secilit ministër e kryetar komune që lejon nënshkrimin e një kontrate të tillë”, ka thënë Sheqiri, i cili ka shtuar se operatorët diskriminohen dhe favorizohen përmes ICO standardeve të panevojshme nga ofertuesit.

Sheqiri ka folur edhe për numrin e madh të ankesave që bordi i mangët prej tre anëtarëve përballet në OSHP.

“Në momentin aktual bordi punon me tre anëtarë, ata kanë të drejt të shqyrtojnë dhe të marrin vendime lidhur me ankesat që ngrihen nga operatorët ekonomik. Pesë anëtarë shqyrtojnë 553 ankesa, tash kjo punë ndahet për tre anëtarë. Prokurimi për vlera të vogla duhet të bëhet prej një anëtari, por për shuma të mëdha duhet i tërë bordi”, ka thënë veç të tjerash Sheqiri.

SHPËRNDAJE