Ekspozitë në Pejë për fushatën e pajtimit të gjaqeve

Një ekspozitë multimediale që e dokumenton fushatën e pajtimit të gjaqeve të viteve 1990-1991 hapet sonte në Galerinë e Arteve në Pejë.

Në këtë ekspozitë do të ketë fotografi, video dhe audio-intervista.

Ngjarja e organizuar nga Iniciativa e Kosovës për Histori Gojore, që shpërfaq historitë e njerëzve të cilët e kanë organizuar dhe kanë marrë pjesë në fushatë, u nis nga dy studente, ish të burgosura politike nga Peja, Hava Shala dhe Myrvete Dreshaj.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje të plotë)

Fushata, e udhëhequr nga studentët e Pejës, akademikët kosovarë e klerikët, fitoi mbështetje të madhe, duke rezultuar në faljen e 1.000 gjaqeve.

Organizata e zgjodhi Pejën pasi, siç thotë drejtoresha e saj, Ermirë Krasniqi, ai është vendi i gjenezës së fushatës.

Pas heqjes së autonomisë në vitin 1989, Kosova u përfshi nga një varg protestash.

Kjo vazhdoi edhe në fillimin e të 90-tave, kur shqiptarët u përjashtuan në mënyrë masive nga institucionet publike, dhe arsimi në gjuhën shqipe ishte ndaluar në masë të madhe, përderisa arsimi universitar në shqip ishte eliminuar.

Gjatë protestave të janarit 1990, 33 studentë shqiptarë u vranë në Pejë. Por, mediat dhe qeveria serbe pretendonin se gjakmarrja, e jo policia ishte fajtorja e vrasjeve.

“Të gjitha këto vrasje gjatë protestave paraqiteshin si vrasje të gjakmarrjes”, shpjegoi Krasniqi.

“Pasi u vranë studentët, (aktivistët) e kuptuan se njerëzit duhet të kishte pajtim në mënyrë që të dilnin ‘rehat’ në protestë. Kjo bëhej edhe që njerëzit të mos thoshin se ata ishin vrarë nga gjakmarrja, që më pas familjet e tyre ta besonin këtë, gjë që do të çonte edhe në më shumë vrasje”, shtoi ajo.

Fushata, e cila zgjati nga shkurti 1990 deri më 17 maj 1992, ka bërë pajtim të gjaqeve edhe përtej Kosovës.

“Ishte iniciativë gjithënacionale. Edhe në Detroit dhe në Nju Jork, ka pasur falje të gjaqeve”, tha Krasniqi duke shtuar se fushata shkoi përtej shqiptarëve që jetonin në republikat jugosllave.

Ekspozita përfshin intervista të përzgjedhura të historisë gojore që nga 2015-ta.

Hulumtuesit e iniciativës kanë realizuar 25 intervista me figurat udhëheqëse të fushatës, me ndërmjetësues, klerikë, akademikë e aktivistë politikë.

4 nga këto intervista shfaqen në projektor, por më shumë do të mund të dëgjohen në audio-stacionin e Galerisë.

Gjithashtu, janë edhe 200 fotografi dhe një kohështrirje ku shihen tubimet e dokumentuara të fushatës.

Një nga këto intervista e tregon historinë e një anëtari të organizatës “Shpresa” që e ka bërë pajtimin e gjaqeve të shqiptarëve në Nju Jork.

Po ashtu, ekspozita e shfaq edhe intervistën me Hava Shalën, një nga themelueset e nismës.

Ndërsa një intervistë tjetër është ajo me Pajtim Osmanin, artist nga Nju Jorku, i cili ishte një nga fëmijët e shumtë shqiptarë që iu vendos ky emër në shenjë nderimi për fushatën e pajtimit të gjaqeve.

Sipas Krasniqit, kjo ekspozitë e jep një narrativë të veçantë, të ndryshme nga “toni patriotik” i historiografisë së re kosovare.

“Të rinjtë hasin në vështirësi kur flitet për të kaluarën, dhe e kanë të vështirë të krijojnë një lidhje direkte me figurat e historisë së re pa njëfarë toni patriotik… E në këtë ekspozitë mund ta bësh këtë lidhje në një mënyrë më të drejtpërdrejtë, dhe të flasësh për këto figura pa narrativën e rëndë të viteve ‘90”, tha ajo.

Ekspozita “Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990—1991” hapet sot në orën 19:00 dhe vazhdon deri më 21 maj në Galerinë e Arteve në Pejë

SHPËRNDAJE