Ermali u vra gabimisht, dikush tjetër ishte cak sulmi

Mitrovica u trondit të premten mbrëma, kur u dha lajmin se i riu Ermal Kamberaj u vra në vendin e tij të punës në një lokal në qendër të Mitrovicës.

Fillimisht mediat raportuan se Ermali u vra për shkak të mos rezervimit të një tavoline në kafiterinë ku punonte, por kjo po del e pasaktë, pasi që ai nuk kishte kurrfarë faji.

Burime të Veriu.info nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se i dyshuari Sadik Bajrami kishte pasur cak sulmi një person tjetër (emër i njohur për redaksinë), por fatkeqësisht atij Ermali i ka ngjarë në të dhe e ka kryer sulmin.

“Ermali dyshojmë se është vrarë gabimisht, pasi që kemi informata se i dyshuari ka dashur ta vrasë një person tjetër, por ka menduar se viktima është personi të cilin ai e kishte cak sulmi. Kemi informacione se i dyshuari ka dashur ta vrasë një person të lagjes Shipoli, e i cili kohëve të fundit ka ardhur nga Perëndimi”, thotë burimi i Veriu.info.

Siç mëson Veriu.info para disa vitesh ishte vrarë në rrethana ende të pasqaruara një familjar i personit që ka qenë cak sulmi.

Veriu.info ka kontaktuar me zëdhënësin e policisë për rajonin e Mitrovicës, i cili është pyetur  për informacionin se dorasi nuk e ka pasur cak sulmi Ermal Kamberajn por një person tjetër, pasi që sipas infomacioneve që i kemi edhe policia po i zhvillon hetimet në këtë drejtim, mirëpo, policia nuk e ka pohuar e as mohuar këtë.

“Policia mbi dyshime të bazuara ka shpallë në kërkim të dyshuarin për vrasje të viktimës E.K., ndërsa sa i përket motivit është çështje e procesit hetimor që po zhvillohet”, ka thënë zëdhënësi Avni Zahiti.

SHPËRNDAJE