Esat Pashë Toptani në 1913: Shteti shqiptar nuk do mbijetojë, janë popull me të meta e të paditur

‘L’Echo de Paris” ka botuar, të martën e 25 marsit 1913, në faqen nr.3, intervistën e Esat Pashë Toptanit, dhënë asokohe gazetës greke ‘L’Acropolis’ në lidhje me opinionin e tij mbi krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet ‘blogut’ personal e ka sjellë për publikun shqiptar.

“L’Acropolis” boton një intervistë me Esat Pashën. I pyetur se çfarë mendon mbi formimin e shtetit shqiptar, ai u përgjigj:

“Unë mendoj se një shtet i tillë, midis Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, kurrë nuk do të mund të jetojë: mosbindja është diçka e pranishme në mesin e shqiptarëve; ata duan rrëmujën dhe vjedhjen.

Si do të mund të jetojë ky popull, me të meta të tilla, të paditur, pa civilizim dhe mysliman?

E rrethuar nga elementë të një race dhe feje tjetër midis kombeve të përparuara në civilizim dhe artin ushtarak, Shqipëria është një Turqi e vogël.

Kur një Turqi e madhe nuk mundi të jetonte në Evropë, si mund të rezistojë një Turqi e vogël si Shqipëria?

Nëse Austria dhe Italia, vazhdoi Esat Pasha, kërkojnë të krijojnë një Shqipëri të pavarur, ato humbin kohën e tyre, por nëse kërkojnë të krijojnë një provincë austro-italiane, atëherë këto fuqi do të mbështesin këtë shtet të vogël, por pa dobi do të kërkojmë në të ardhmen shtetin shqiptar.”

SHPËRNDAJE