Estrada dalin me drogë në vende publike! Lëndët narkotike konsumohen haptas

Rrjetet sociale janë ato që sot i mundësojnë secilit të shpalos shumëçka nga jeta private.

Përdorues të mëdhenj të këtyre rrjeteve janë estrada, të cilët përveç se njoftojnë lidhur me të rejat rreth profesionit të tyre, ata ndajnë me fansat diçka edhe nga përditshmëria e tyre, shkruan lajmi.net.

Disa tema që më herët kanë qenë tabu, sot debatohen haptas në publik, e një prej tyre është çështja e konsumimit të lëndëve narkotike.

Disa prej artistëve tanë kanë pranuar publikisht se janë përdorues të këtyre lëndëve, e disa prej tyre janë larguar prej kësaj dukurie apo vetëm e kanë provuar nga një herë.

Stresi

Reperi Stresi është një prej fytyrave publike që ka pranuar se është konsumues i lëndëve narkotike. Ai madje në shumë raste ka publikuar edhe imazhe në të cilat shihet me drogë.  Kjo gjë i ka sjellë në shumë raste probleme këtij artisti. Nuk ka shumë kohë që ai u ndalua në polici pikërisht për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike në publik.

Enca Haxhia

Enca Haxhia është një nga artistet shqiptare, e cila asnjëherë nuk ka ngurruar të dalë haptas duke konsumuar lëndë narkotike. Në rrjete sociale, këngëtarja i ka jo të rralla paraqitjet e tilla, ku shfaqet duke tymosur këto lëndë. Madje, shumë herë ka marrë kritka të rënda nga ndjekësit, duke e konsideruar si shembull të keq.

Noizy

Është një prej reperëve më të suksesshëm shqiptar, ku çdo këngë e tij bën bujë në publik. E kur jemi tek projektet, reperi i ka kënduar hashashit, duke e titulluar këngën “Hashash me thasë”. Ndërsa, ai përveç se ishte fotografuar duke tymosur, ai kishte bërë një deklaratë lidhur me këto lëndë, ku tha se në një prej koncerteve kanë përgatitur edhe kek hashashi.

Beatrix Ramosaj

Edhe Beatrix Ramosaj nuk ka ngurruar aspak që të shfaqet haptas duke tymosur nga këto lëndë narkotike. Ashtu sikurse Enca, edhe Beatrixi e ka bërë këtë në mes të Amsterdamit, aty ku edhe është i lejuar konsumimi i këtyre lëndëve.

Angjelina Hadërgjonaj

Edhe vajza e këngëtares Albërie Hadërgjonaj, Anxhelina ka dal publikisht duke konsumuar lëndë narkotike. Këtë veprim, ajo ashtu sikurse dy këngëtaret e lartpërmendura, e ka bërë në Amsterdam. E në një intervistë, Anxhelina kishte lënë të kuptohet se këtë veprim e ka bërë vetëm për ta provuar, pasi nuk është konsumuese e rregullt e tij.

Era Istrefi

Këngëtarja Era Istrefi në këngën “Bon Bon” kishte përmendur drogën, ndërsa në një postim që bëri në rrjete sociale shihej duke lexuar një libër për marihuanën. Në atë libër tregohej se kohë më parë njerëzit që konsumonin këtë lëndë narkotike dënoheshin me 10 vite burg. Ndërsa, mbishkrimi i Erës ka qenë “Falënderoj Zotin që jetoj në këtë epokë”. Duke lënë në pikëpyetje çështjen nëse është konsumuese e kësaj lënde narkotike apo jo.

Dafina Zeqiri

Edhe Dafina Zeqiri përmes rrjeteve sociale ka treguar haptas se është përdoruese e këtyre lëndëve narkotike. Mbishkrimi që i kishte lënë ka qenë i tillë që këtë gjë e bën për t’u ‘relaksuar’ pasi t’i përfundojë punët në muzikë.

Cozman

Edhe Cozman është një ndër reperët që është përfolur shumë për konsumim hashashi, madje është thënë se ai dhe ish e dashura e tij, Tuna, ishin arrestuar pasi janë kapur me këtë lëndë narkotike, por që ishte liruar, vetëm se iu shqyrtua lënda “detyrim për paraqitje”, pasi e kishte pranuar se është përdorues i kësaj lënde.

Buta

Buta është një nga reperët që ka dalë haptas duke konsmuar hashash. Në një prej klipeve të tij, ai nuk ka ngurruar aspak të shfaqet duke tymosur. Por, edhe përmes rrjeteve sociale, ai në disa raste përmend këtë lëndë.

Getinjo

Një nga reperët që ka deklaruar haptas se në të kaluarën ka përdorur lëndët narkotike është Getinjo. Ai ka rrëfyer në shumë paraqitje të tij, që tashmë atë histori e ka lënë në të kaluarën.

Luana Vjollca

Moderatorja Luana Vjollca pati bërë bujë në rrjete sociale me anë të një fotografie ku u shfaq duke tymosur lëndë narkotike. Ajo kishte treguar me anë të mbishkrimit që i la fotografisë në rrjete sociale se vetëm ka provuar nga këto lëndë, por nuk është se i konsumon ato. Ashtu sikurse për të tjerët artistë, edhe në adresë të moderatores kishin arritur kritika të mëdha lidhur me këtë veprim.

Pra, dukuria e përdorimit të lëndëve narkotike në publik nuk është se i frikëson disa prej artistëve tanë. Një pjesë e tyre kanë konsumuar ata në vendin ku lejohe me ligj, e disa kanë publikuar imazhe me të kanë treguar se e provuan këtë gjë. Por, ka edhe atë atillë që kanë deklaruar se janë larguar nga kjo dukuri. /Lajmi.net/

D.A.

SHPËRNDAJE